×
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Evazioni fiskal, bizneset sezonale verore i ikin tatimit

    FrontOnline
    10 Gusht 2019

    Sektori i hotelerisë në Kosovë gjatë sezonit të kësaj vere është në fokus të inspektimit nga Administrata Tatimore e Kosovës, pasi që sipas zyrtarëve të ATK-së ky sektor paraqet potencial të madh për shmangie nga tatimi.

    Vetëm gjatë një aksioni dyditor pas orarit të punës dhe vikendit, ATK ka ndëshkuar 30 subjekte afariste në Kosovë.

    Bizneset e ndëshkuara sipas zyrtarëve të ATK-së nuk kanë qenë të pajisura me arka fiskale apo kanë pasur arka fiskale, por nuk kanë lëshuar kuponë fiskal.

    Valentina Bytyçi-Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë këtij aksioni janë inspektuar 46 subjekte afariste shumica prej tyre në sektorin e hotelerisë.

    “ATK bazuar në planet vjetore dhe operative në sezonin e verës zhvillon aktivitete operacionale, përmes së cilit tentojmë të jemi më afër atyre që kanë aktivitete të shtuara në këtë periudhë, si tek sektori i hotelerisë, ashtu edhe te estrada, por edhe te pishinat, që për ne paraqesin një potencial për të shmangur tatimet. Nga 10 salla të dasmave të vizituara, 8 prej tyre janë ndëshkuar, nga tre motele të inspektuara nga ATK të tretë janë ndëshkuar, kafiteri dhe restaurante janë vizituar 33 dhe janë ndëshkuar 19”, thekson Bytyçi-Sefa.

    Ekonomia joformale në Kosovë arrin në shkallën prej 30 për qind

    Vizitat e inspektoratit të ATK-së, shton ajo, janë zhvilluar gjatë aktiviteteve kur i kanë zhvilluar këto subjekte afariste dhe sipas saj, inspektorët kanë vërejtur që pas çdo shërbimi që u kanë ofruar klientëve nuk janë lëshuar kuponë fiskalë.

    Për dëmet që i janë shkaktuar shtetit të Kosovës nga këto biznese që i janë shmangur tatimeve, Sefa-Bytyçi thotë se do të raportohet në shtator pas përfundimit të të gjitha aksioneve që merren gjatë sezonit të verës.

    Ndërkohë, përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se në mungesë të fiskalizimit të të gjithave bizneseve të cilat obligohen me ligj të kenë arka fiskale, në treg është krijuar konkurrencë e padrejtë.

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se në veçanti në aktivitete sezonale shumë nga subjektet afariste i ikin tatimeve shtetërore.

    “Një e treta e ekonomisë së Kosovës vuan nga pabarazia dhe informaliteti në vend dhe kjo krijon humbje të mëdha edhe për buxhetin e shtetit edhe për bizneset formale. Raportet ndërkombëtare të cilat tregojnë se ekonomia informale është 30 për qind aty hynë edhe bizneset që kanë arka fiskale dhe nuk lëshojnë kuponë fiskalë, apo nuk kanë fare arka fiskale. Një inspektim më i madh nga ATK-ja do të ndihmon uljen e informalitetit në vend”, thotë Shahini.

    Zhvillimi ekonomik, peng i aktiviteteve joligjore

    Pajisja me arka fiskale i subjekteve afariste kishte filluar si proces në vitin 2010 dhe qëllimi ishte evitimi i evazionit fiskal, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe daljet (shitjet).

    Që nga fillimi i këtij procesi, nga më shumë se 160 mijë biznese që janë të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, deri më tash Administrata Tatimore e Kosovës sipas zëdhënëses së ATK-së Sefa-Bytyçi janë fiskalizuar rreth 32 mijë biznese me 42 mijë pajisje fiskale.

    “Se sa e kemi mbuluar komplet bizneset që deklarojnë dhe paguajnë në ATK duhet pasur parasysh se disa nuk janë të obliguar të pajisen me arka fiskale. Ne nuk e amnistojmë vetën, por problem i jonë është çështja e resurseve, nuk kemi inspektorë të mjaftueshëm për të monitoruar apo vizituar të gjitha bizneset se a janë pajisur me arka fiskale apo a po lëshojnë kuponë fiskal”, thotë ajo.

    Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar betejë të pakompromis kundër ekonomisë joformale në vend, e cila sipas raporteve të mekanizmave financiarë ndërkombëtarë vlerësohet të ketë arritur në shkallën prej 30 për qind të bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është mbi dy miliardë euro brenda një viti./Evropa e Lire/

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka konfirmuar se një dron ka goditur një parking në afërsi të Konsullatës Amerikane në Dubai,...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Presidenti amerikan, Donald Trump, të martën tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërpresin tërë tregtinë me Spanjën pasi vendi evropian refuzoi...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Teherani ka bërë një deklaratë zyrtare sa i përket tensioneve në Lindjen e Mesme, duke u shprehur se ata ende nuk i...
    Të tjera
    Lajme03 Mars 2026
    Ramush Haradinaj, për herë të parë ka bërë publike letrat drejtuar Abdixhikut dhe Hamzës, me datë 21 janar të këtij viti, duke kërkuar...
    Lajme03 Mars 2026
    Përkunder takimeve të ditëve të fundit, partitë politike në vend nuk kanë arritur të pajtohen për një president konsensual. Analisti politik Albert...
    Lajme03 Mars 2026
    Deputetja e PDK-se Arbnora Salihu ka njoftuar se propozimi i saj për zgjerimin e fushëveprimtarisë së Komisionit për Kulturë, Turizëm dhe Sport,...
    Lajme03 Mars 2026
    Ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin, aktualisht kryetar i Lëvizjes Socialiste në Serbi, ka kërcënuar me sulme kundër Kosovës, kryeministrit Albin Kurti dhe...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Presidenti amerikan, Donald Trump, të martën tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërpresin tërë tregtinë me Spanjën pasi vendi evropian refuzoi...
    Sport03 Mars 2026
    Barcelona ka synim që sonte ta bëjë “të pamundurën, të mundur”, në përballje me Atletico Madridin. Në ndeshjen që luhet sonte me...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.