Europa është bërë kontinenti i dytë në botë më i godituri nga COVID-19, kjo pasi kaloi mbi 250 mijë vdekje teksa vala e dytë e koronavirusit ka kapluar shumë shtete europiane.
Europa radhitet pas Amerikës Latine pasi që kaloi 250 mijë vdekje të shtunën sipas një regjistrimi të Reuters, me numra rekord të infeksioneve të përditshme COVID-19 të raportuara në dy javët e fundit.
Për herë të parë Europa raportoi mbi 200 mijë të infektuar me koronavirus për herë të parë të enjten, pasi shumë vende të Europës Jugore këtë javë raportuan numrin më të lartë të rasteve në një ditë të vetme, transmeton Klan Kosova.
Kujtojmë se Europa përbën gati 19% të vdekjeve globale dhe rreth 22% të rasteve pozitive globale.
Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca, Rusia, Belgjika dhe Spanja përbëjnë gati dy të tretat e rreth 250 mijë vdekjeve të regjistruara deri më tani nga gjithsej rreth tetë milionë raste në të gjithë Europën.
Mbretëria e Bashkuar kryeson numrin e të vdekurve të Europës me rreth 45 mijë vdekje, pasuar nga Italia, Spanja, Franca dhe Rusia.
Bazuar në shtatë ditët e fundit të vdekjeve të raportuara ditore, Rusia raporton 250 vdekje në ditë, numri më i lartë i Europës, pasuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca me rreth 143 vdekje secila.
Franca u bë vendi i shtatë që raportoi më shumë se një milion raste koronavirus të premten, teksa numri mesatar i vdekjeve me COVID-19 të raportuara në Francë është rritur për dhjetë ditë rresht.
Spanja ditëve të fundit kaloi një milion raste dhe po raporton 136 vdekje në mesataren e fundit shtatëditore të vdekjeve të raportuara.
Kujtojmë se që nga fillimi i pandemisë e deri më tani sipas World Meters, 42 milionë e 686 mijë e 046 persona janë infektuar nga COVID-19, kurse kanë vdekur një milion e 151 mijë e 811 njerëz si dhe janë shëruar 31 milionë e 517 mijë e 445 pacientë.