Policia e EULEX-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë në pronën e Jakup Krasniqit në fshatin e tij më lindjes.
Dyert e oborrit të shtëpisë po vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe mediat nuk kanë mundësi të shohin nëse ka ndonjë veprim nga ana e pjesëtarëve të EULEX-it brenda, megjithatë avokati i Krasniqit, Valon Hasani, konfirmoi nga Prishtina se edhe shtëpia ne Negroc është bastisur.
Ndërsa vëllai i ish-zëdhënësit të UÇK-së, i cili ndan pothuajse të njëjtin oborr me shtëpinë e Jakup Krasniqit, i tha KosovaPress-it se ka parë që pjesëtarët e EULEX-it gjatë gjithë kësaj kohe kanë qëndruar në oborr, sipas tij në pritje të ndonjë urdhri për të nisur bastisjen.
Ai tha se nuk kanë kontaktuar me Jakup Krasniqin, veçse janë në dijeni se tashmë ai është nisur për në Hagë.
“Këtu nuk ka pasur bastisje, pjesëtarët e EULEX-it kanë qëndruar terë kohën në oborr, edhe unë këtu në oborr jam. Nuk e di çka do të ndodh më tutje. Me Jakupin nuk kemi folur por e kemi pa në media që e kanë nisë për në Hagë”, tha Halim Krasniqi, përmes telefonit për KosovaPress.
Hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar mëngjesin e hershëm të së mërkurës kanë nisur një operacion ku kanë bastisur shtëpinë e Jakup Krasniqit në Prishtinë.
Gjatë ditës, avokati i Jakup Krasniqit ka konfirmuar për KosovaPress se ish-zëdhënësi i UCK-se pritet të dërgohet në Hagë.
Krasniqi del të jetë personi i katërt që dërgohet për gjykim në Dhomat e Specializuara, pas Salih Mustafës, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt. Këta të fundit aktualisht janë në paraburgim në Hagë./G.Kadrija