Ish-gjykatësi i misionit evropian në Kosovë, EULEX, Malcolm Simmons ka këshilluar shtetin e Kosovës që të dalë me deklarata më të ashpra dhe më të drejtpërdrejta në drejtim të Bashkimit Evropian, lidhur me mos-liberalizimin e vizave.
Përmes një reagimi të bërë në Twitter, Simmons deklaroi se është koha që Kosova t’i thotë Bashkimit Evropian se “jemi lodhur me lojërat e juaja”.
Simmons shtoi se BE-së i duhet thënë se jemi lodhur me lojërat.
“A nuk është koha që Kosova t’i thotë BE-së: Ne jemi lodhur nga lojërat që po i luani. Nuk do të ketë bashkëpunim të mëtejshëm me ju përveç dhe derisa të shohim ndonjë përparim nga pala e Bashkimit Evropian”, shkroi ai , transmeton lajmi.net.
Ndonëse nga BE-ja shpesh herë u theksua se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, ende nuk është marrë vendim që kosovarëve t’u mundësohet lëvizja e lirë pa viza.
Ish-shefi i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons, pati folur disa herë për skandalet në misionin evropian për sundimin e ligjit, EULEX.
Madje për këtë ai kishte kërkuar të raportonte edhe në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit./Lajmi.net/