Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, sot priti në takim komandantin e KFOR-it, z. Franco Federici, me të cilin bashkëbiseduan për procesin e shtrirjes së infrastrukturës sportive në Kosovë veçanërisht në kampet të cilat janë planifikuara të ndërtohen.
Një projekt i tillë pritet të ndërtohet në Batllavë dhe i njëjti do të jetë në shërbim të grupmoshave të reja.
Komandanti Federici u shpreh i gatshëm që të ndihmojë në realizimin e këtij projekti, duke siguruar makinerinë e nevojshme.
Ndërsa ditët në vijim pritet edhe një tjetër takim mes përfaqësuesve të KFOR-it me ekspertët e kësaj lëmie dhe me presidentin e FFK-së Agim Ademin, për ta konkretizuar marrëveshjen.
Sekretari Salihu falënderoi komandantin e KFOR-it për gatishmërinë e bashkëpunimit, derisa në shenjë respekti i dhuroi fanellën e Kosovës.