Ermir Lenjani nuk do të jetë më pjesë e Kombëtares shqiptare.
35 vjeçari nga Kamenica e pati një periudhë përrallore me Kuqezinjtë, me të cilët u kualifikua në Euro 2016.
E pasi i kaloi 10 vjet në fanellën e shqiponjave, mesfushori ofanziv vendosi të tërhiqet nga Kombëtarja, shkruan “Gazeta Express”.
Futbollistin e Schaffhausenit e ka falënderuar për kontributin Federata Shqiptare e Futbollit përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Faleminderit Ermir Lenjani.10 vite Kuqezi, Ermir Lenjani ka marrë vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja, pasi ka përjetuar emocione të shumta, ishte në “Euro 2016” në Francë dhe me ëndrrën e realizuar largohet kryelartë mes falënderimeve”, shkroi FSHF-ja.
Futbollisti nga Kosova u shpreh i emocionuar me vendimin, ndërsa i kujtoi momentet magjike që i kaloi me Kuqezinjtë.
35 vjeçari i ka zhvilluar 45 ndeshje me Kombëtaren shqiptare dhe i ka realizuar 5 gola.
Një kohë, ish-futbollisti i Winterthurit, Grasshoppersit, St. Gallenit, Rennesit, Nantesit, Sionit e Umraniyesporit ka qenë pjesë e pandashme dhe mjaft e rëndësishme e Kuqezinjve.