Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, u shpreh se “një luftë duhet të zhvillohet kundër ndjenjave anti-muslimane sot, ashtu si u zhvillua një betejë kundër antisemitizmit pas Holokaustit”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Me rastin e 25 vjetorit të fillimit të bisedimeve për Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, e cila i dha fund luftës dhe gjenocidit në Bosnjë dhe Hercegovinë më 1 nëntor 1995, presidenti Erdoğan dërgoi një video-mesazh në Samitin Virtual të Liderëve mbi Gjenocidin: Mësimet e nxjerra nga Srebrenica, që u organizua nga Qendra Përkujtimore e Srebrenicës dhe Fondacioni Sycamore.
“Gjenocidi, i cili ndodhi 25 vjet më parë në Srebrenicë, në zemër të Evropës, është gdhendur si një njollë e zezë në historinë e njerëzimit. Pavarësisht se ka kaluar një çerek shekulli, dhimbja e shkaktuar nga 8,372 vëllezërit dhe motrat tona boshnjake, të vrarë brutalisht, vazhdon të na plagosë zemrat”, tha Erdoğan.
“Me këtë rast, unë përkujtoj edhe një herë dëshmorët tanë të dashur me mëshirë dhe u shprehi ngushëllimet e mia familjeve të pikëlluara të viktimave të gjenocidit dhe popullit boshnjak”, shtoi ai.
Presidenti turk tha se fatkeqësisht “kërkesat për drejtësi të bëra nga ata që humbën të dashurit e tyre gjatë gjenocidit nuk u përmbushën plotësisht dhe shumica e autorëve nuk morën dënimin e merituar”.
“Ata që i dorëzuan vëllezërit dhe motrat tona tek vrasësit e tyre duke u strehuar nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara dhe i dërguan në vdekje, nuk kanë dhënë llogari për përgjegjësinë e tyre. Edhe më keq, njerëzimi, veçanërisht politikanët evropianë dhe mediat, nuk merrni mësimet e nevojshme nga gjenocidi i Srebrenicës”, theksoi Erdoğan.
“Masakrat që kemi parë në shumë pjesë të botës nga Siria në Jemen, Arakan në Zelandën e Re, janë shembujt më të dhimbshëm të kësaj. Organizatat ndërkombëtare që kanë shikuar gjenocidin e Srebrenicës kanë mbetur vetëm vëzhgues të rastit para këtyre mizorive të viteve të fundit”, shtoi ai.
Erdoğan gjithashtu tha se “ne shohim që vendet që mësojnë botën për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, marrin epërsinë në islamofobi dhe ksenofobi”.
“Terrorizmi racist përhapet si murtaja në shumë vende perëndimore, ndonjëherë i mbrojtur në nivelin presidencial. Pesha e sulmeve që synojnë vendet e adhurimit të muslimanëve, vendet e punës, mesxhidet dhe ndërtesat e institucioneve joqeveritare, është rritur në nivele shqetësuese”, tha gjithashtu presidenti turk.
Erdoğan theksoi se muslimanët evropianë po përballen me një diskriminim sistematik dhe të drejtat dhe liritë e tyre janë duke u uzurpuar.
“Është koha për t’u thënë ‘ndal’ kësaj gjendjeje të rrezikshme dhe kësaj rrjedhe të veprimeve që kërcënojnë të ardhmen e njerëzimit dhe kulturën e bashkëjetesës së besimeve dhe kulturave të ndryshme”, tha ai.
Ai vuri në dukje se “në një kohë të shqetësimit ekonomik në rritje dhe tensioneve sociale në rritje për shkak të pandemisë së koronavirusit, detyra dhe obligime të rëndësishme bien mbi të gjithë njerëzit dhe të gjithë krerët e shteteve që mbështesin demokracinë, liritë, paqen dhe drejtësinë”.
“Ne duhet të jemi të guximshëm dhe të zëshëm në lidhje me veprimet e gabuara që i shohim, për të parandaluar përsëritjen e gjenocidit të Srebrenicës dhe duhet të kërkojmë zgjidhje së bashku. Ne duhet të përmbushim përgjegjësinë tonë, jo vetëm për veten dhe vendet tona, por edhe për të ardhmen e fëmijëve tanë”, theksoi ai.
Presidenti Erdoğan tha se shpreson që “25 vjetori i gjenocidit të Srebrenicës dhe fillimi i bisedimeve për Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, do të jetë mjeti i një zgjimi për të gjithë botën, veçanërisht vendet evropiane”.