Disa zyrtarë turq kanë thënë se presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, mund ta anulojë vizitën e planifikuar për javën e ardhshme në Uashington në shenjë proteste ndaj miratimit të rezolutës për njohjen e gjenocidit të Perandorisë Osmane ndaj armenëve.
Erdogan pritet t’i vizitojë Shtetet e Bashkuara më 13 nëntor me ftesë të homologut amerikan, Donald Trump, por javën e kalua rai tha se miratimi i rezolutës për armenët në Kongres e ka vënë një pikëpyetje ndaj këtij plani.
“Këta hapa i kanë ngrysur seriozisht marrëdhëniet mes dy shteteve. Për shkak të këtyre vendimeve, vizita e Erdoganit është vënë në pikëpyetje”, tha një zyrtar turk, duke shtuar se ende nuk është marrë vendimi përfundimtar për këtë vizitë.
Sidoqoftë, burimet turke thonë se presidentët Trump dhe Erdogan kanë marrëdhënie të fortë, pavarësisht zemërimit të Kongresit për ofensivën turke në Siri, blerjes së sistemit raketor rus nga Turqia dhe vlerësimit të Ankarasë se deklaratat e kreut të Shtëpisë së Bardhë janë të çoroditura.
Duket se marrëdhëniet personale mes dy liderëve është jetike, duke pasur parasysh se blerja e sistemit rus nga Turqia do të duhej t’iu nënshtrohej sanksioneve amerikane.
Turqia e kundërshton vlerësimin e disa shteteve se Perandoria Osmane ka kryer gjenocid ndaj armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore, ndonëse e pranon faktin se shumë armenë janë vrarë gjatë luftimeve me forcat osmane, shkruan “Reuters”./Front Online/