Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thumbuar dy kundërshtarët, LDK-në e VV-në, pak para fundit të fushatës zgjedhore për kryetar të komunës së Podujevës.
Në një shkrim të publikuar para pak çastesh në faqen zyrtare të rrjetit social “Facebook”, Hoxhaj, ka thënë se përkundër mungesës së Thaçit e Veselit, ata ia kanë dalur që të këndellen, duke gjetur forcë për të ecur përpara, ashtu siç ka ndodhur çdoherë.
Tutje, ai ka ftuar qytetarët e Podujevës që mos t’i japin votë korrupsionit e uzurpimit, por ndryshimit, për të cilin PDK-ja kandidon me Naim Fetahun.
Më poshtë edhe postimi i plotë.
Partia Demokratike e Kosovës po kalon nëpër një situatë të re pas aktakuzës ndaj kryetarit Kadri Veseli dhe ish-kryetarit Hashim Thaçi. Por, me ndihmën e strukturave partiake ia kemi dalë që mërzinë ta kthejmë në forcë dhe hidhërimin në vullnet për punë të mëtutjeshme.
Partia Demokratike, asnjëherë në historinë e saj, nuk është ndalur para sfidave të mëdha dhe nuk do të ndalet as sot dhe as në të ardhmen. Përkundrazi, PDK-ja është rritur dhe pjekur në të tilla sfida.
Zgjedhjet për kryetarin e Podujevës që mbahen të dielën janë një shans ideal për qytetarët llapjanë që pas 20 vitesh ta sjellin ndryshimin aq shumë të kërkuar në këtë komunë, e cila është lënë mbrapa si pasojë e keqqeverisjes 20-vjeçare të LDK-së.
I vetmi ndryshim është Naim Fetahu, një qytetar i respektuar i Podujevës, një profesionist i zoti, një person i nderuar nga shoqëria civile dhe mediat, si dhe një politikan i pastër e me vullnet të madh për ta ndryshuar për të mirë Podujevën.
Naim Fetahu e ka planin për zhvillimin e Podujevës, dy kandidatët e tjerë e kanë gjuhën e sharjeve dhe ofendimeve ndaj njëri-tjetrit.
Komuna e Podujevës ka nevojë për shumë punë dhe pak fjalë, pak ofendime, pak etiketime. Komuna e Podujevës ka nevojë për ekipin profesionist të Naim Fetahut për të filluar me sanimin e dëmit 20-vjeçar që ka sjellur keqqeverisja e Nexhmi Rudarit dhe Shpejtim Bulliqit.
Naim Fetahu do ta ketë përkrahjen e tërësishme të të gjitha strukturave të Partisë Demokratike, nga udhëheqësia qendrore e gjer tek votuesit, për ta ndryshuar Podujevën për të mirë dhe përmes saj për të ofruar një shembull pozitiv të modelit të PDK-së për ndryshime edhe në nivel qendror. Ashtu siç gjer më tash PDK-ja ka qenë partia që ka dhënë shembull me qeverisje komunale, ashtu do të jetë edhe me Podujevën me kryetar Naim Fetahun.
Naim Fetahu do ta ketë për këtë përkrahjen e plotë të Partisë Demokratike dhe pëkrahjen time si ushtrues detyre i kryetarit të Partisë Demokrarike. Për ta realizuar projektin e tij për një Podujevë më të mirë, ai ka ne nevojë edhe për përkrahjen e qytetarëve të Podujevës.
Votoni për Naim Fetahun!
Votoni për të ardhmen tuaj!
Votoni për ndryshimin dhe jo për korrupsionin e uzurpimin! #PDK10