Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të Partisë Demokratikë të Kosovës, Enver Hoxhaj duket se është kampion në rehatimin e familjarëve e bashkëpunëtorëve të tij në shërbimin diplomatik të Kosovës.
Hoxhaj i cili ka qenë edhe ministër i Jashtëm në Qeverinë e Kosovës duket se ka pasur më shumë mundësi që të punësojë familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij.
Sipas një liste të cilën e ka publikuar RTV Dulkagjini, Hoxhaj prin me numrin e të punësuarve.
Sipas kësaj liste këta janë personat e dërguar nga Enver Hoxhaj në diplomaci:
Leurata Berisha – Mbesa e Enver Hoxhajt;
Mirjeta Behluli – Sekretare e Enver Hoxhajt;
Enver Buqaj – Ish këshilltar i Enver Hoxhajt;
Lulzim Pllana – Ish këshilltar i Enver Hoxhajt;
Ilir Berisha – Shofer i Enver Hoxhajt;
Xhelal Gega – Depoist ne MPJ, i graduar nga Enver Hoxhaj.
Emërimi i djalit të deputetit të AAK-së, Haxhi Shala si konsull i përgjithshëm në Pragë të Cekisë ka aktualizuar në vend temën e punësimeve përmes lidhjeve politike e familjare në shërbimin diplomatik të vendit shkruan Reporteri.net.
Kujtojmë që dje ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka shkarkuar katër konsuj në mesin e tyre edhe Flakron Shalën, djalin e deputetit Shala.
Të mërkurën, Presidenca ka njoftuar se u.d. e presidentes, Vjosa Osmani i ka shfuqizuar katër dekretet për emërimin e konsujve të përgjithshëm të Kosovës në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.
Në njoftimin e lëshuar, Presidenca ka vlerësuar se sa i përket tri rasteve të para, konsullatat e përgjithshme nuk mund të hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk mund të emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe ambasada.
“Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës. Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. Presidentja Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga Presidenti paraprak”, thuhet në komunikatë.
Vendimi i Osmanit ka ardhur pasi Flakron Shala, djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, është emëruar si konsull i përgjithshëm në Pragë të Çekisë.
Përveç Shalës, me vendim të Osamnit janë shkarkuar edhe Blendi Kilaj nga konsullata në Lubjanë, Lindon Kqira nga konsullata në Shkup dhe Halim Krasniqi nga konsullata e Kosovës në Tiranë.