Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka bërë të ditur se skuadra e tij do të përqendrohet në zhvillimin e talentëve të rinj në vend që të kërkojë përforcime në afatin kalimtar të janarit, duke theksuar se tashmë ka një ekip të fortë.
Këtë deklaratë tekniku spanjoll e ka shprehurpara ndeshjes së Kupës së Francës ndaj Lens të dielën.
“Jam shumë i kënaqur me skuadrën. Qasja më e mirë në çdo afat kalimtar është të qëndrojmë të vëmendshëm”, ka thënë Enrique. “Është e vështirë të përmirësojmë skuadrën tonë. Duam të zhvillojmë talentët tanë të rinj. Sa i përket tregut të transferimeve, kemi një ekip shumë të mirë”.
Enrique ka kujtuar se PSG ka bërë më shumë se dhjetë transferime gjatë vitit të kaluar, duke shtuar se nuk ka urgjencë për ndryshime këtë herë. “Nëse paraqitet një mundësi për të përmirësuar ekipin, është mirë, por tashmë kemi një skuadër shumë të fortë”, ka theksuar ai.
PSG synon ta fitojë Kupën e Francës për herë të gjashtëmbëdhjetë këtë sezon, duke nisur me ndeshjen e parë ndaj Lens, që renditet në vendin e shtatë në Ligue 1.
Ndërkohë, PSG kryeson Ligue 1 me dyzet pikë, dhjetë më shumë se Marseille në vendin e dytë. Megjithatë, klubi parisien ka hasur vështirësi në Champions League dhe do t’i duhet të japë maksimumin për të mbetur në garë kur kompeticioni të rinisë muajin e ardhshëm./RTK