Baton Zabërgja është grumbulluar për herë të parë me ekipin A të Kosovës, pasi më parë ka qenë pjesë e grupmoshave.
Anësori i talentuar ka qenë në formë të jashtëzakonshme në Superligën e Shqipërisë me Dinamon e Tiranës në këtë sezon, gjë që ka bindur Franco Fodan që ta ftojë te Dardanët.
“Për mua është ndjenjë e papërshkrueshme sepse për çdo futbollist është ëndërr të arrijë të jetë pjesë e ekipit kombëtar. Më vjen shumë mirë që e kam realizuar këtë ëndërr dhe shpresoj ta bëj maksimumin tash dhe në vazhdim që të bëj ndeshje sa më të mira me kombëtaren”.
“Pritja ka qenë shumë e ngrohtë. I gjithë grupi është shumë i mirë dhe më ka pritur në mënyrë shumë të mirë. Mendoj se kemi një ekip shumë të mirë që të arrijmë rezultate pozitive në të ardhmen”.
“Normalisht e dimë se Rumania ka qenë kundërshtari më i fortë në këtë grup, por duke pasur parasysh edhe lojtarët që ne i kemi, mendoj se mund të dalim me rezultat pozitiv nga Rumania”, ka thënë Baton Zabërgja.
Dardanët luajnë kundër Rumanisë më 15 nëntor në Bukuresht, ndërsa ndeshjen e dytë kundër Lituanisë më 18 nëntor në Prishtinë. /Telegrafi/