Rabbi Schlomo Hofmeister pa hororin me sy kur një sulmues me armë hyri në disa bare në Vjenë, duke shtënë mbi njerëzit që po shijonin natën e fundit para se në Austri të hynin masat e reja kundër përhapjes së Covid-19.
“Ai po vepronte si një profesionist, sulmues i ushtruar”, tha Hofmeister për CNN.
“Ai dukej profesionist, nuk dukej konfuz dhe nuk po gjuante kot – ishte shumë i koordinuar, si luftëtar”, shtoi ai.
Hofmeister e pa gjithë ngjarjen nga shtëpia e tij.
Ishte ai që thirri policinë dhe u tha se një sulmues po shtinte në drejtim të njerëzve në bare.
“Ai po vraponte”, tha Hofmeister.
“Dëgjova të shtëna brenda bareve dhe pastaj në 15 ose 20 minutat e ardhshme, dëgjova të shtëna nga ana tjetër. Ishin disa vende të sulmit”, tha ai.
Kujtim Fejzullahi 20 vjeçar me origjinë nga një fshat i Tetovës së Maqedonisë së Veriut ka qenë kryeprotagonisti i terrorit të mbrëmshëm.
Ai dyshohet se ka vrarë katër persona dhe i ka plagosur 22 të tjerë. Vrasësi me nënshtetësi austriake mbante një kallashnikov, një pistoletë dhe një thikë të madhe, kur hapi zjarr pak para orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Ai u qëllua për vdekje nga policia