Njëri ndër themeluesit e LDK’së, Jusuf Buxhovi, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se kryetari i tanishëm i LDK’së, Isa Mustafa, do të mundohet të ruajë pushtetin brenda LDK’së.
Ai ka komentuar zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen në LDK duke thënë se si kanë rrjedhur gjërat janë gabim.
“Është dashur të shpallen zgjedhjet e brendshme të jashtëzakonshme në të gjitha strukturat”, tha ai.
“Kështu do të mbetet ai klani i feudeve. Strukturat do të ruajnë atë që i ka zgjedhur. Nuk mund të ketë riformatim”, tha ai.
Buxhovi tha se Isa Mustafa do të mbajë pushtetin që e ka, ndonëse ai ka paralajmëruar dorëheqjen.
“Emri i kryetarit të ri të LDK-së do të jetë i favorizuari i Isa Mustafës”, thotë ai.
Buxhovi ka edhe një paralajmërim.
“Nëse vazhdohet kështu dhe LDK mbetet një parti pa kauzë. Mund të bjerë sikur AAK’ja”, tha ai.
Zgjedhjet e brendshme të LDK’së do të mbahen më 14 mars. Mandati i kryetarit të ri do të jetë vazhdues i atij të Isa Mustafës dhe jo i plotë.