Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani në emisionin “Pa maskë” është shprehur i ashpër me ministrin e shëndetësisë, Armend Zemaj. Ai ka deklaruar se sot në QKUK është një kaos dhe se ka shumë njerëz të cilët vdesin nga sëmundje të tjera pa u trajtuar ngaqë klinikat janë stërmbushur me pacientë të infektuar nga Covid – 19.
“Deri tash nuk është se kemi pa diçka pozitive. Nuk mundemi me e quajt pozitive vjedhjen e 2 milionë eurove nga thesari ku tashmë ka dyshime se kjo ka mund të persëritet edhe ndonjëherë tjetër, mirëpo kjo është zbuluar kohëve të fundit. Nuk ka ndonjë veprim i cili mund të vlerësohet si i mirë. Jetojmë në kohë pandemie dhe i shohim rezultatet. I shohim edhe vdekjet sa janë, edhe rastet, edhe trajtimin e gjithë këtij procesi që po bëhet nga një jurist i emëruar si ministër i shëndetësisë dhe e kemi kohën kur ka qenë ministër Arben Vitia se si e ka menagjuar pandeminë”, ka deklaruar Rrahmani.
Ai i është përgjigjur edhe zërave se kishte më pak të infektuar në qeverisjen e kaluar shkaku i mbylles totale gjë që e rrezikonte seriozisht ekonominë e shtetit duke thënë se vjedhja e 2 milionë eurove e dëmton më shumë ekonominë sesa mbyllja në pandemi për një periudhë të caktuar.
“Është dashur të ruhet ai kontinuitet e jo të mbetet e bllokuar për shkak se edhe Qeveria Kurti kishte filluar hapjen graduale të masave. Dhe, problemi është se nuk mundet dhe nuk din me menaxhu një ministër jurist në krye të shëndetësisë. S’ka aftësi menagjeriale”, ka deklaruar Eman Rrahmani.
Ai ka thënë se tregues i paaftësisë së ministrit Zemaj nuk janë veç numrat e të infektuarve me Covid-19, por edhe dështimi i shërbimeve në QKUK ku njerëzit vdesin pa u trajtuar nga sëmundje tjera ngaqë klinikat janë mbipopulluar. Sipas tij, aktualisht në shëndetësi është gjendje skandaloze dhe barra kryesore bie mbi ministrin e shëndetësisë, Armend Zemaj.