Ndryshon lista e miliarderëve të planetit dhe tani i dyti më i pasur është Elon Musk.
Ai tejkaloi në Indeksin Bloomberg Billionaires Bill Gates-in.
Renditja e Musk në vend të dytë erdhi pasi aksionet e firmës së prodhimit të automjeteve elektrike Tesla, u rritën brenda një dite me 6.5 për qind. Listën e kryeson themeluesi i Amazon Jeff Bezos.
Sipërmarrësi amerikan Elon Musk kaloi themeluesin e Microsoft-it Bill Gates dhe është tani njeriu i dytë më i pasur i planetit me një pasuri neto prej 127.9 miliardë dollarësh, sipas Indeksit Bloomberg Billionaires të publikuar të hënën.
Ky ndryshim i indeksit ndodhi pasi aksionet e firmës së prodhimit të automjeteve elektrike Tesla u rritën me 6.5 për qind dhe vetë pasuria e Musk u rrit me 7.2 miliardë dollarë brenda një dite. Që prej fillimit të këtij viti, pasuria e miliarderit 49-vjeçar është rritur me 100.3 miliardë dollarë.
Indeksi Bloomberg Billionaires tregon çdo ditë ndryshimin e pasurisë së njerëzve më të pasur të planetit. Pasuria llogaritet duke analizuar të ardhurat neto të çdo miliarderi.
Me një pasuri që llogaritet në 182 miliardë dollarë, themeluesi i Amazon Jeff Bezos kryeson tani renditjen, ndërsa Gates llogaritet se ka një pasuri prej 127.7 miliardë dollarësh. Pasuria e tij do të ishte shumë më e madhe nëse Gates nuk do të kishte dhuruar një pjesë të parave. Aktualisht ai është duke koordinuar planet për shpërndarjen e vaksinës kundër Covid-19 për vendet e varfra.
Renditja e miliarderëve të botës nga Indeksi Bloomberg Billionaires realizohet duke llogaritur të dhënat publike, si aksionet në bursë, pasuritë e paluajtshme, objektet në koleksionet e tyre të artit dhe sendet e luksit.
Në litrën e miliarderëve të revistës Forbes, Elon Musk renditet i katërti me një pasuri prej 110.5 miliardë dollarësh.