Minatorët e Trepçës dhe të Kishnicës edhe sot janë duke vazhduar grevën në kërkim të pagave për muajt janar dhe shkurt.
Këtë e ka bërë të ditur për Front Online, Gani Osmani nga Sindikata e Trepçës.
Sipas tij arsyeja e grevës është mos marrja e pagës për një pjesë të muajit janar dhe të muajit shkurt.
A ka deklaruar se minatorët janë në vendin e tyre të punës, por nuk janë duke punuar.
Ndërsa, ka thënë se kryeshefi në detyrë, i Trepçës, Enes Muzaqi gjatë ditës së djeshme ka diskutuar me zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë dhe se të njëjtit kanë thënë se sot deri në ora 10:00 do të procedohen pagat.
“Minatorët e ndërrimit të parë, të dytë dhe të tretë janë në vendin e tyre të punës por nuk janë duke punuar. Arsyeja është për shkak të pagave. Një pjesë e tyre kanë marrë 70% të pagës së janarit e një pjesë jo, ndërsa të muajit shkurt askush s’ka marrë pagë. Dje na është thënë se sot në ora 10:00 do të ekzekutohen pagat dhe ne jemi në pritje”, ka thënë Osmani për Front Online.
I pyetur se çka do të ndodhë nëse deri në këtë orë nuk do t’u ekzekutohen pagat, Osmani ka deklaruar se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Ne po presim që të realizohet zotimi që na ka dhënë Qeveria, në të kundërtën ne do të vazhdojmë të shkojmë në vendin e punës , por nuk do të punojmë”, është shprehur Osmani.
Ndryshe minatorët e Trepçës kanë filluar grevën që nga dita e djeshme./Front Online/