Ushqimi është diçka që duhet ta kemi shumë kujdes në kohë pandemie, sidomos personat më të rrezikuar. Gjërat që hamë na ndihmojnë që të forcojmë sistemin tonë imun dhe në rast se infektohemi me Covid-19, pasojat do të jenë më të lehta.
Kështu mendon ekspertja amerikane e diabetit Mariela Glandt, e cila ka publikuar një libër me titull “Si të hamë në kohërat e Covid-19”. Glandt, në një intervistë për BBC, tha: “Kemi parë që personat që përfundojnë më shumë në terapi intensive janë të moshuar me tension të lartë, sëmundje kardiovaskulare, obezitet dhe diabet. Këto janë faktorët që të çojnë në vdekje nëse infektohesh me koronavirus”.
Sipas saj, një nga rreziqet që mund të eliminohet lehtë është sheqeri: “Mes nesh kemi një epidemi që po e rëndon koronavirusin dhe ai është ushqimi që hamë. Konsumojmë ushqime me shumë sheqer, që në të vërtetë nuk i quan dot as ushqime. Kjo na ka përkeqësuar të gjithëve. Ushqimi është rreziku më i madh për koronavirusin dhe askush nuk po flet për të. Nëse trupi ynë nuk është në formë, koronavirusin e kalojmë rëndë”.
Atëherë, si mund të hamë siç duhet? Mariela Glandt përgjigjet kështu: “Duhet ngrënë ushqim i vërtetë dhe t’i lëmë gjërat industriale. Hani perime, peshk, pulë, mish, vezë dhe bulmet”.
Sipas saj, duhet bërë kujdes edhe me frutat: “Janë karamelja e natyrës, edhe frutat kanë shumë sheqer. Duhen konsumuar në mënyrë të moderuar”./A2CNN