Ish gjyqtari i njohur, Ismajl Kasumi, ka analizuar rastet kontestuese të ndeshjes Trepça ’89 – Besa e Pejës, ndeshje e cila përfundoi me rezultati baras 1:1.
Pas përfundimit të ndeshjes, klubi mitrovicas bëri një reagim duke e sulmuar gjyqtarin Genc Nuza se nuk ka akorduar dy penallti në favorin e tyre.
Megjithatë, sipas ish gjyqtarit të njohur dhe ekspertit të referimit, Kasumi, Nuza ka vepruar mirë në të dy rastet që nuk ka akorduar penallti.
“Këtu i kemi dy penallti të pa akorduara, për mendimin tim me të drejtë. Po, tash do t’i shikojmë, ja. Në rastin e parë, nuk ka kontakt absolut. Pra, me të drejtë referi nuk ka bërë penallti. Rasti i dytë, ku prapë kërkohet penallti, edhe këtu për mu dhe sipas rregulloreve këtu ka gabuar vetëm te kartoni i verdhë për simulim edhe pse nuk ka pas simulim ky, është një dorë e zgjatur pak mbi trupin e lojtarit por nuk është që të referohet njëmbëdhjetë metërsh. Pra, vendimi i drejtë, por gabimi i tij që e ka ndëshkuar me karton të verdhë”, ka deklaruar Kasumi në emisionin “2me1” në RTV21, në të cilin ishte i ftuar si ekspert i referimit.
Nuza për vite me radhe është gjyqtari më i mirë në Superligën e Kosovës, duke mbajtur edhe stemat e FIFA-s dhe UEFA-s.
Në këtë sezon gjyqtari Nuza nuk është deleguar në shumë xhiro dhe ndeshje derbi pa ndonjë shpjegim nga Komisioni i Gjyqtarëve të FFK-së.