
Si hap pozitiv e ka vlerësuar njohësi i ekonomisë, Lulzim Beqiri dakordimin ndërmjet Ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati dhe përfaqësuesve të sindikatave për rritjen e pagës minimale në 500 euro.
Megjithatë, ai u shpreh se ky vendim vjen në një periudhë elektorale dhe duhet të shoqërohet me reforma të thella fiskale.
“Dakordimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro është një hap pozitiv dhe i mirëpritur, ndonëse vjen në një periudhë elektorale. Megjithatë, ky vendim është i domosdoshëm duke pasur parasysh nivelin e lartë të inflacionit që po ndikon në fuqinë blerëse të qytetarëve. Rritja e pagës minimale duhet të shoqërohet me reforma të thella fiskale, të cilat kanë munguar për gati një dekadë”, thotë ai.
Beqiri ka theksuar disa masa të nevojshme për të balancuar efektet e inflacionit dhe për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.
“Thelbësore është rishikimi i normave të TVSH-së për shportën e konsumit, zgjerimi i listës së produkteve me normë të reduktuar, si dhe heqja e përkohshme e TVSH-së për disa produkte bazike që ndikojnë drejtpërdrejt në jetesën e qytetarëve”, u shpreh Beqiri.
Në 2024 është rritur për herë të fundit paga minimale në Kosovë, ku aktualisht është 350 euro./Front Online