
Njohësi i ekonomisë, Lulzim Beqiri ka kritikuar vendimin e ZRRE-së për shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike, duke e cilësuar atë si dëshmi të një dështimi serioz institucional.
Sipas Beqirit, energjia elektrike është faktor bazik për zhvillimin ekonomik dhe jetesën e qytetarëve.
“Rritja e çmimit të energjisë, e shoqëruar me ndërprerje të gjata të furnizimit, dëshmon dështim serioz institucional dhe mungesë të plotë përgjegjësie. Në një shtet me institucione funksionale, Bordi i ZRRE-së do të duhej të ishte shkarkuar moti, sepse energjia elektrike nuk është luks, por faktor bazik për prodhimin, zhvillimin ekonomik dhe jetesën e qytetarëve”, thotë Beqiri.
Ai tregon se ngritja e çmimit të rrymës ka ndikuar në shumë sektorë dhe ka rritur koston e jetesës për mijëra familje
“Energjia elektrike është kosto kyçe që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të prodhimit, në rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, në rritjen e kostos së jetesës për mijëra familje”, ka deklaruar ai.
Beqiri thotë se dalja e detyruar e bizneseve në tregun e hapur ka shkaktuar rritje të çmimeve deri në 250%, me pasoja të drejtpërdrejta për konsumatorin final.
“Dalja e detyruar në tregun e hapur ka dhënë goditjen finale për bizneset, ku u reflektua një rritje e çmimeve deri në 250%, e cila u përkthye drejtpërdrejt në shtrenjtim të mallrave dhe shërbimeve për konsumatorin final”, vlerësoi Beqiri.
Beqiri paralajmëroi se një rritje tjetër e çmimit në mars 2026 përbën veprim të rrezikshëm dhe shantazh ndaj qytetarëve.
“Paralajmërimi për një rritje tjetër të çmimit në mars 2026 përbën shantazh ndaj qytetarëve dhe një veprim tejet të rrezikshëm, që mund të provokojë pakënaqësi dhe trazira sociale. Qytetarët nuk mund dhe nuk duhet ta pranojnë normalizimin e varfërimit”, ka deklaruar Beqiri për “Front Online”.
Kriza me energji/ Pas ndërprerjeve, paralajmërohet shtrenjtim dhe ndryshim i tarifave