Masat e vëna nga BE-ja për Kosovën, kanë pasur ndikim të negativ në ekonominë e vendit, vlerësojnë drejtuesit e Odës Ekonomike dhe njohësit e kësaj fushe. Ndërkaq Qeveria thotë se Bashkimi Evropian duhet t’i largojë masat e vëna, pasi që konsideron se janë plotësuar të gjitha kushtet.
Në fund të qershorit bëhet një vit prej kur Kosova është nën masat e Bashkimit Evropian, të cilat kanë pasur ndikim negativ në ekonominë e vendit. Kështu thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, sipas të cilit vendit i është prishur imazhi.
“Janë projekte që kanë qenë të planifikuara në investime kapitale dhe këto do të kishin ndikuar në rritje ekonomike, por edhe në përmirësimin e mirëqenies sociale për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne jemi dëshmitarë që prej atyre shumave ose projekteve që kanë qenë të paraqitura edhe publikisht, që shkojnë deri afër 300 milionë. Mirëpo, përtej kësaj, jemi të dëmtuar edhe në kuptimin e imazhit të Kosovës, për arsye se të qenit nën sanksione nuk është një imazh i mirë për t’i motivuar investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë”, tha Rafuna.
Ndërsa për ekonomistin Flamur Keqa, këto masa kanë ndikim në gjithë sektorët.
“Masat e ndërmarra nga BE-ja kanë ndikim të madh edhe në ekonomi, por edhe në jetën, qoftë shoqërore apo politike, dhe në sektorë të tjerë. Por, në mënyrë specifike janë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës, sepse kemi të bëjmë me suspendinim e programit të fondeve të IPA ku dihet se në vitin 2022 nga ky program i fondeve, Kosova ka përfituar 62 milionë euro, kurse në vitin 2023, ka përfituar 75 milionë euro, e sa mund të përfitonte në vitin 2024”, ka thënë Keqa.
Në një përgjigje me shkrim nga Qeveria e Kosovës thonë se e mirëpresin gatishmërinë e Bashkimit Evropian që t’i largojë masat e padrejta ndaj Kosovës. Qeveria thekson se më 22 prill, me rastin e përfundimit procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të katër komunave veriore, e ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi në Bratisllavë me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit.
“Sipas çdo parametri, deeskalimi në katër komunat në veri të vendit tashmë ka ndodhur dhe se Bashkimi Evropian ka i të gjitha arsyet për të larguar masat e vëna”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e Qeverisë./rtk