Ekonomia e Kosovës nën udhëheqjen e Qeverisë Kurti është në rikuerc.
Tre ministrat kryesorë të kësaj fushe kanë shënuar përqindjen më të ultë të realizimit të investimeve kapitale për vitin 2022.
Bëhet fjalë për Hekuran Muratin, që udhëheq me Financat, Rozeta Hajdarin që drejton Ministrinë e Industrisë dhe Artane Rizvanollin që qëndron në krye të Ministrisë së Ekonomisë.
Murati ka shpenzuar vetëm 2 % për investime kapitale, Hajdari 16% dhe Rizvanolli 38%.
Kritika lidhur me këtë situatë që e nxori Instituti GAP ka ish-ministri i Financave, Haki Shatri.
“Kjo është ditë që Qeveria Kurti ka dështuar në vitin 2022. Me mungesën e investimeve kapitale i bie të mos ketë zhvillim ekonomik, pos fjalë të thata”, u shpreh Shatri për “Front Online”.
Mungesa e investimeve kapitale bën që të ruhen paratë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati u mburr madje me suficitin buxhetor para pak ditësh.
E “fryrjen” tij po e sheh si qesharake ekonomisti Musa Limani.
“Hekuran Murati nuk i njeh financat sepse është qesharake të mburresh me suficit buxhetor në këtë kohë të rëndë sociale, ku çmimet e produkteve janë të larta e pagat kanë mbetur të ulëta”, u shpreh Limani për “Front Online”.
Ai tutje ka kritikuar mungesën e investimeve kapitale.
“Ekonomia e Kosovës gjendet në një kolaps dhe është në nivelin më të ulët, karakterizohet me mungesë të mallrave, deficit tregtar dhe me mungesë të investimeve. E papranueshme të ndalën investimet sepse ngadalësohet zhvillimi ekonomik”, u shpreh Limani.
Nga të gjitha Ministritë, ajo që e udhëheq Nenad Rashiqi po del të jetë më e suksesshmja për investime kapitale gjatë vitit 2022.
Ministria për Kthim dhe Komunitete ka shpenzuar 98% të buxhetit për investime kapitale.