Ermal Krasniqi është njëri prej futbollistëve më të talentuar që aktivizohet në futbollin e Kosovës, raporton FrontOnline.
Sulmuesi nga Malisheva ka qenë senzacion këtë edicion te skuadra e Ballkanit, duke u bërë njëri prej futbollistëve më të mirë të skuadrës.
22-vjeçari ka bërë 29 paraqitje në të gjitha garat këtë edicion me Ballkanin, duke kontribuuar me shtatë gola dhe pesë asistime.
Pas përfundimit të këtij edicioni, interesimi për shërbimet e 22-vjeçarit është jashtëzakonisht i madh.
FrontOnline nga burime të sigurta pranë futbollistit mëson se shumë klube të huaja i duan shërbimet e sulmuesit kosovar.
Gazeta mëson se klube nga Zvicra, Hungaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, por edhe nga Kosova e duan transferimin e Krasniqit.
Megjithatë, dy ditë pas përfundimit të edicionit në elitën e futbollit kosovar, Krasniqi ende nuk ka vendosur se ku do ta vazhdojë karrierën.
Ndryshe, vlera e Krasniqit në tregun e transferimeve sipas “TransferMarkt” është 150 mijë euro.
Para Ballkanit, Krasniqi ka qenë pjesë e Ferizajt dhe Llapit, derisa te klubi suharekas u transferua në verën e vitit 2019./FrontOnline/