Ndonëse e nënshkroi “dëbimin” nga elita e futbollit kosovar më herët se që është pritur, Besa e Pejës është shquar këtë edicion për punën e madhe me futbollistët e rinjë.
Ish-trajneri i Besës, Jerome Klein dhe ai aktual, Leotrim Krasniqi i kanë besuar shumë të rinjëve duke startuar në shumicën e ndeshjeve me këta futbollistë këtë edicion, raporton FrontOnline.
Disa nga futbollistët e rinjë të Besës që shkëlqyen sivjet janë Etnik Brruti, Diar Halili, Agron Kolaj dhe Ardit Tahiri.
Falë paraqitjeve të mira të futbollistëve dhe organizimit të mirëfilltë të klubit pejan, futbollistët e lartëcekur do ta kenë rastin e artë për ta vazhduar karrierën në futbollin evropian.
FrontOnline nga burime brenda klubit pejan mëson se Brruti dhe Halili kanë pasur prova pozitive te Sporting Braga, derisa Besa është duke pritur oferta për transferime eventuale nga klubi portugez.
Përveç kësaj, këtë javë, dy futbollistët në fjalë do të jetë në prova te klubi i Ligës 2 franceze, Le Havre, klub i cili shquhet për një akademi të fuqishme.
Nga ky klub, kanë dalur futbollistë të mëdhenj si Steve Mandanda, Paul Pogba dhe Ferland Mendy.
Por, kjo nuk është e tëra.
Nga Besa e Pejës janë testuar edhe dy futbollistë tjerë në Austri.
Drejtori i Besës së Pejës, Jerome Klein javë më parë për FrontOnline kishte konfirmuar Agron Kolaj dhe Ardit Tahiri kanë qenë për prova në Austri te Flyeralarm Admira, por që nuk ka ndonjë informacion në lidhje me situatën e tyre.
Ndryshe, Etnik Brruti dhe Diar Halili janë vetëm 17-vjeçarë, Ardit Tahiri është 18-vjeçar, kurse “gardiani” Agron Kolaj i ka vetëm 20-vjeç.
Këtë edicion, pas 35 javësh, Besa e Pejës zë vendin e fundit me vetëm 12 pikë të tubuara, por në fushën e lojës vazhdimisht ka shfaqur paraqitje të mira./FrontOnline/