Rritjen e kërkesës e konfirmojnë nga Shqipëria, një prej vendeve ku kosovarët blejnë më së shumti prona.
Gazetari Lavdrim Lita thotë se kërkesa për investime në patundshmëri e kosovarëve është tejet e lartë.
“Shqiptarët e Kosovës janë bërë pronar apartamentesh, hotelesh dhe biznesesh nga Shëngjini, Velipoja deri në Sarandë. Turizmi patriotik është biznes i mirë për sektorin e hotelerisë dhe transportit, sidomos kompanitë e udhëtimit/transportit kosovare janë shumë përpara dhe ofrojnë shpejtësi dhe komoditet”, u shpreh Lita për iFront.
Eksperti i ekonomisë, Pano Sako, në anën tjetër, e cilësoi si proces normal blerjen e patundshmërive jashtë vendit nga kosovarët.
Ai veçoi dy arsye që i shtyjnë kosovarët të zgjedhin kryesisht pronat në Shqipëri.
“Aryseja e parë është integrimi natyror mes një populli që jeton në dy shtete të ndryshme, pa pritur burokracitë e afrimit të shteteve. E dyta: investimi është një reduktim i shpenzimeve për pushimet që bëjnë çdo vit. Shembull, nëse një familje kosovare do të paguante 1500 euro për pushimet e saj, e ka llogaritur që duke blerë një shtëpi, kjo kosto reduktohet”, u shpreh Sako për iFront.
Integrimi ekonomik mes dy vendeve të një kombi po vlerësohet si një gjë e mirë sepse zgjeron tregun për mallra dhe shërbime të specializuara.
“Sektori IT i Kosovës mund të ishte një mundësi e mirë për sektorin e turizmit të Shqipërisë. Në këtë kuptim, sa më shpejt hiqen të gjitha barrierat jo tarifore dhe mendore aq më mirë do të jetë për të gjithë shqiptarët që duan produkte dhe shërbime cilësore”, u shpreh gazetari Lavdrim Lita.