×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Ekonomia në moment të vështirë, shteti në paralizë

    FrontOnline
    31 Gusht 2025

    Kosova hyn në gjysmën e dytë të vitit 2025 nën shenjat e një trajektoreje kristal të qartë të rrëshqitjes ekonomike: rikthimi i frikshëm i inflacionit, pas valës së dy viteve më parë që u ngjit në nivele të paprecedenta; thellim i deficitit tregtar e gërryerje e fuqisë blerëse — ndërkohë që vendi mbetet në paralizë të plotë institucionale, duke vulosur kësisoji skenarin që ekonomistët e kishin perceptuar si më ogurziun: vazhdimin e mëtejshëm të bllokadës politike, nën dritëhijen e degradimit të treguesve makroekonomikë.
    Raportet e Agjencisë së Statistikave të muajve të fundit s’janë veç numra; na ato projektojnë një krizë serioze, edhe atë në afat të shkurtër.

    Inflacioni
    Inflacioni i vitit 2025 ka marrë sërish hov e para dy-tre viteve: norma vjetore arriti 4.3% në korrik, me rritje mujore konsistente që nga janari.

    Çka po e shtyn rritjen?

    Ushqimi dhe pijet joalkoolike janë motori kryesor: +9,2 për qind vjetore në korrik. Brenda kësaj, “kafe, çaj dhe kakao” ka shënuar rritje të dyshifërt të qëndrueshme (+16,9 për qind korrik), ashtu si mishi (+12,7 për qind), pemët (+12,3 për qind) dhe perimet (+10,7 për qind). Me peshë më të lartën në shportë, kjo kategori ka dhënë pjesën luanit në total.

    Rryma: pasi luhatej në fillim të vitit, energjia elektrike shkoi në +16,6 për qind vjetore në korrik (pas +17,8 për qind në qershor), duke shtuar ndjeshëm koston e jetesës.

    Shërbimet: shërbimet hoteliere u rritën 7,9 për qind vjetore në korrik, ndërsa pushimet e organizuara kapën +20,9 për qind vjetore (dhe +11,8 për qind nga muaji në muaj), duke reflektuar sezonin turistik dhe kostot më të larta në sektorin e shërbimeve.

    Valë e re?
    Kosova kaloi një valë të paparedentë inflacioniste në 2022 (mesatarja vjetore 11,6 për qind), e cila ra në 4,9 për qind në 2023 dhe 1,6 për qind në 2024.

    2025-a ka shënuar rikthim të presioneve, ndonëse ende larg nivelit të 2022-s, kur pikërisht në muajin korrik të atij viti, inflacioni kishte arritur në 16 për qind.

    Këtë herë, sipas të dhënave, rritja po ushqehet nga ushqimet e importuara (sidomos kafe/kakao) dhe rryma, ndërsa transporti po e zbut pjesërisht.

    Ekonomistët kanë ngritur alarmin se bëhet fjalë për një inflacion që nuk vjen më nga jashtë, por që ushqehet brenda vetë strukturës së tregut vendor.

    Deficit kronik tregtar
    Tregtia e jashtme pasqyron më së miri dobësinë konkurruese të ekonomisë së Kosovës: gjatë gjashtë muajve të parë të 2025 deficitet mujore qëndruan të larta — nga 414 milion euro në janar deri në mbi 535 milion euro në mars — ndërsa eksportet mbulojnë vetëm rreth 13–14% të importit.

    Kjo varësi nga importi, përqendrimi i eksporteve në sektorë me vlerë të ulët (metalet bazë, ushqimet e përpunuara etj.) dhe rritja e importeve për energji dhe makineri theksojnë se struktura prodhuese nuk po shndërrohet mjaftueshëm drejt shtimit të vlerës.

    Në katër vitet e qeverisjes Kurti, Kosova rrëshqiti drejt një hendeku strukturor në tregtinë e jashtme, me një bilanc kumulativ që nga viti 2020 e deri më sot ka tejkaluar shifrën marramendëse prej 19 miliardë eurosh në disfavor të saj.

    Sipas raportit të fundit i Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2024, deficiti i llogarisë rrjedhëse është rritur me 25.4 përqind dhe ka arritur në 914.8 milionë euro, ose 8.9 për qubd të Bruto Produktit Vendor.

    Rritja rezulton se është shkaktuar kryesisht nga një përkeqësim i mëtejshëm i deficitit tregtar të mallrave, që arriti 4.9 miliardë euo.

    Ulja e projeksioneve për rritjen ekonomike
    Në raportin e saj të fundit “, Banka Botërore ka rishikuar parashikimet e saj, duke ulur projeksionet e rritjeve ekonomike të Kosovë për vitet 2025 dhe 2026.

    Sipas raportit të publikuar të martën, rritja globale për vitin 2025 parashikohet të bjerë me 0.4 pikë përqindjeje, duke arritur në vetëm 2.3 për qind. Shkaktarët kryesorë mbeten tarifat e larta dhe niveli i paparashikueshmërisë, të cilat po ndikojnë në pothuajse të gjitha ekonomitë, nga fuqitë më të mëdha ekonomike deri te tregjet në zhvillim.

    Në kuadër të trendit global, as Kosova nuk bën përjashtim. Rritja ekonomike për vitin 2024 parashikohet të arrijë në 4.4 për qind. Ndërsa për vitet 2025, 2026 dhe 2027, rritja vlerësohet të jetë 3.8 për qind për secilin vit. Krahasuar me parashikimet e muajit janar, rritja për vitin 2025 është ulur me 0.1 pikë përqindje, ndërsa për vitin 2026 është ulur me 0.2 pikë përqindjeje. /Nacionale

    Nga Rubrika
    Lajme04 Mars 2026
    Ish-anëtari i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Blerim Burjani, për FrontOnline ka komentuar mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja në vend, duke...
    Kronika04 Mars 2026
    Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar mbrëmjen e së martës në Gjakovë. Në raportin 24-orësh të policisë, bëhet e ditur...
    Kronika04 Mars 2026
    Një person ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohej pas vetaksidentit që kishte pësuar në autostradën “Ibrahim...
    Të tjera
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Vendi i lutjeve Imam Khomeini Mosalla në Teheran do të presë mbështetës të udhëheqësit të ndjerë suprem, Ajatollah Ali Khamenei, në një...
    Sport04 Mars 2026
    Trajneri i Comos, Cesc Fabregas, deklaroi se skuadra e tij “e meritonte fitoren” në barazimin 0-0 ndaj Inter në gjysmëfinalen e Kupës...
    Lajme04 Mars 2026
    Dëshmia e holandezit, Koen Herlaar do të vazhdojë edhe sot në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe...
    Lajme04 Mars 2026
    Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka pezulluar përkohësisht nga puna Gresa Latifin, e cila ka shërbyer si inspektore hetuese në Divizionin e Marrëveshjeve...
    Lajme04 Mars 2026
    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton se të mërkurën, më 4 mars 2026, në kuadër të punimeve në projektin e zgjerimit të...
    Lajme04 Mars 2026
    Mbi vendin tonë mot sot pritet të jetë i vranët, me intervale dielli. Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.