×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Editorial i gazetës “The New York Times”: Jipni fund krizës tonë kombëtare – Rasti kundër Donald Trumpit

    FrontOnline
    17 Tetor 2020

    Fushata për rizgjedhje e Donald Trumpit e paraqet kërcënimin më të madh ndaj demokracisë amerikane që nga Lufta e Dytë Botërore.

    Përktheu: Nasuf Abdyli

    Mandati shkatërrues i z.Trump tashmë i ka dëmtuar tepër shumë Shtetet e Bashkuara brenda vendit dhe përreth botës. Ai e ka keqpërdorur pushtetin e zyrës së tij dhe e ka mohuar legjitimitetin e kundërshtarëve politikë, duke i prishur normat që e kanë mbajtur kombin të bashkuar për gjenerata. Ai e ka përfshirë interesin publik në profitabilitetin e biznesit të tij dhe në interesat e veta politike. Ai ka shfaqur një mospërfillje që të lë pa frymë ndaj jetës dhe lirive të amerikanëve. Ai është person i padenjë për zyrën që e mban.

    Bordi editorial nuk e padit lehtë një president të zgjedhur në mënyrën e duhur. Gjatë mandatit të z.Trump, ne i kemi kritikuar racizmin dhe ksenofobinë e tij. E kemi kritikuar vandalizmin e tij ndaj konsensusit të pasluftës, një sistem aleancash dhe raportesh përreth globit që kushton shumë jetë njerëzish për t’u themeluar dhe për t’u mbajtur. Përsëri e përsëri, ne i kemi qortuar retorikën e tij përçarëse dhe sulmet e tij keqdashëse ndaj amerikanëve. Sidoqoftë, kur Senati refuzoi ta dënonte presidentin për abuzimet e qarta të pushtetit dhe pengesat (ndaj sistemit të drejtësisë), ne i këshilluam kundërshtarët e tij politikë që ta përqendrojnë zemërimin e tyre për ta mposhtur atë në kutinë e votimit.

    3 nëntori mund të jetë pikë kthimi. Këto zgjedhje kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit dhe me atë se cilën rrugë duan ta zgjedhin qytetarët.

    Aftësia ripërtëritëse e demokracisë amerikane është testuar rëndë nga mandati i parë i Trumpit. Katër vjet shtesë do të ishin më të këqija.

    Por edhe kur amerikanët presin të votojnë në radhë të gjata me blloqe të tëra nëpër qytezat e qytetet e tyre, z.Trump është i angazhuar në një sulm me tërë fuqinë ndaj integritetit të këtij procesi demokratik jetik. Në kundërshtim me të gjithë paraardhësit e tij modernë, ai ka refuzuar të zotohet për transferim paqësor të pushtetit, duke lënë të kuptohet se fitorja e tij është rezultati i vetëm legjitim dhe se nëse ai nuk fiton, është i gatshëm ta kontestojë gjykimin e popullit amerikan në gjykata apo edhe në rrugë.

    Madhësia dhe llojshmëria e veprave të këqija të z.Trump mund të ndihen si të pakalueshme. Përsëritja e ka ligështuar ndjesinë e zemërimit dhe grumbullimi i zemërimeve të reja lë pak kohë për t’i përjetuar të veçantat. Ky është çasti kur amerikanët duhet ta shërojnë këtë ndjesi të zemërimit.

    Është qëllim i këtij sektori të veçantë të “Rishikimit të së Dielës” që t’u kujtojmë lexuesve pse z.Trump është i papërshtatshëm për ta udhëhequr kombin. Aty përfshihen disa ese të përqendruara në korrupsionin e lartë të administratës së Trumpit, kremtimin e dhunës, neglizhencën e madhe ndaj shëndetit të publikut dhe cilësinë e një burrështetasi të paaftë. Një përzgjedhje e fotografive ikonike e vë në pah punën e presidentit në çështje si klima, imigrimi, të drejtat e grave dhe raca. Përgjatë gjykimit tonë të z.Trump, ne po i publikojmë, me fjalët e tyre, gjykimet e rënda të burrave dhe grave që kanë shërbyer në administratën e tij.

    Urgjenca e këtyre eseve flet vetë. Mohimi i z.Trump është hapi i parë për riparimin e dëmit që ai e ka shkaktuar. Por edhe kur po i shkruajmë këto fjalë, z.Trump është duke e kripur fushën dhe edhe nëse humb, rindërtimi do të marrë shumë vjet e lot.

    Z.Trump nuk ka ndonjë rival të vërtetë si presidenti më i keq amerikan në historinë moderne. Në vitin 2016, vlerësimi i tij i hidhur i të këqijave të kombit u përputh me shumë votues, por mësimi i katër vjetëve të fundit është që ai nuk mund t’i zgjidhë problemet urgjente të kombit, sepse ai është problemi më urgjent i kombit.

    Ai është demagog racist që po i prin një vendi gjithnjë më të përçarë; një mbrojtës i izolimit në një botë të ndërlidhur; një “shoumen” që gjithmonë mburret për gjërat që kurrë nuk i ka bërë, duke premtuar se do t’i bëjë gjërat që kurrë nuk do t’i bëjë.

    Ai nuk ka shfaqur asnjë aftësi për ndërtim, por ka arritur të shkaktojë shumë shkatërrim. Ai është vetëm njeri për rrëzimin e gjërave.

    Në kohën kur botës po i mbaron koha për t’u përballur me ndryshimin e klimës, z.Trump e ka mohuar nevojën për veprim, e ka braktisur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe i ka sulmuar përpjekjet për ta kufizuar lirimin e gazrave.

    Ai ka nisur një shtypje mizore ndaj imigrimit ligjor dhe joligjor, pa propozuar një politikë të ndjeshme për të përcaktuar se kush duhet të lejohet të vijë në Shtetet e Bashkuara.

    I dhënë pas kthimit mbrapsht të arritjeve të paraardhësit të tij, Barack Obama, ai është përpjekur që t’i bind Kongresin dhe gjykatat që të çlirohen nga Akti i Kujdesit të Përballueshëm pa propozuar ndonjë politikë zëvendësuese për t’iu ofruar amerikanëve qasje në kujdesin e përballueshëm shëndetësor. Gjatë tre vjetëve të parë të administratës së tij, numri i amerikanëve pa sigurim shëndetësor u rrit për 2.3 milionë – një numër që sigurisht është rritur prapë, kur miliona amerikanë i kanë humbur vendet e punës këtë vit.

    Ai bëri fushatë si mbrojtës i punëtorëve të rëndomtë, por ka qeverisur në emër të të pasurve. Ai premtoi rritje të pagës minimale federale dhe intestime të reja në infrastrukturë; ai ofroi një varg zvogëlimesh të taksave, prej të cilave më së shumti përfituan njerëzit e pasur. Ai i ka fshirë pa dallim rregulloret dhe u është përgjigjur lutjeve të korporatave me pezullim të zbatimit të rregullave të cilat nuk mundi t’i fshinte lehtë. Nën udhëheqjen e tij, Byroja Për Mbrojtje Financiare të Konsumatorëve i ka ndalur përpjekjet për t’i mbrojtur konsumatorët dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit i ka ndalur përpjekjet për ta mbrojtur mjedisin.

    Ai i ka tendosur aleancat afatgjata, përderisa i ka përqafuar diktatorët si Kim Jong-uni i Koresë Veriore dhe Vladimir Putini i Rusisë, të cilët z.Trump i trajton me një shkallë të ngrohtësisë dhe nderimit që është vështirë të shpjegohet. Ai u largua nga Partneriteti Trans-Paqësor, një marrëveshje strategjike mes fqinjëve të Kinës, që kishte për qëllim t’i bënte trysni Kinës për t’iu përmbajtur standardeve ndërkombëtare. Në vend të këtij partneriteti, z.Trump ka zhvilluar një luftë hakmarrëse, duke vendosur miliarda dollarë në taksa – taksa që në të vërtetë paguhen nga amerikanët – pa nxjerrë koncesione të rëndësishme nga Kina.

    Veprimet jo të duhura të z.Trump si udhëheqës kanë qenë veçanërisht në pah të dhimbshëm gjatë pandemisë së koronavirusit. Në vend se të punonte për ta shpëtuar jetën e njerëzve, z.Trump e ka trajtuar pandeminë si problem të marrëdhënieve publike. Ai gënjeu për rrezikun, e sfidoi ekspertizën e zyrtarëve të shëndetit publik dhe i rezistoi zbatimit të masave të nevojshme parandaluese; ai ende është duke u përpjekur që ta imponojë vazhdimin e aktivitetit ekonomik pa e futur virusin nën kontroll.

    Përderisa ekonomia u rrafshua, ai nënshkroi një valë fillestare të ndihmës për amerikanët që i humbën vendet e punës. Pastaj, tregu i aksioneve u ngrit dhe, ndonëse miliona njerëz mbetën jashtë punës, z.Trump i humbi interesimi për gjendjen e tyre të vështirë.

    Në shtator, ai deklaroi se virusi nuk e prek pothuajse askënd, një ditë para se numri i viktimave të sëmundjes në Shtetet e Bashkuara të shkonte në 200.000.

    Nëntë ditë më vonë, z.Trump u sëmur.

    Themelet e shoqërisë civile amerikane ishin duke u shkatërruar para se z.Trump të lëshohej poshtë me ashensor nga ndërtesa “Trump Tower” në qershor të vitit 2015 për ta bërë të ditur fushatën e tij presidenciale, por ai i ka shpeshtuar prirjet më të këqija në politikën amerikane: Nën udhëheqjen e tij, kombi është bërë më i polarizuar, më paranojak dhe më zemërngushtë.

    Ai i ka vënë amerikanët kundër njëri-tjetrit, duke i zotëruar mediet e reja masive si Twitter-i dhe Facebook-u për t’i endur përkrahësit e tij rreth një zjarri virtual të ankesave dhe për ta vërshuar sheshin e publikut me gënjeshtra, dezinformata dhe propagandë. Ai është i pamëshirshëm në denigrimin e kundërshtarëve dhe ngurrues për ta dënuar dhunën e kryer nga ata që i vlerëson si aleatë. Në debatin e parë presidencial në shtator, nga z.Trump u kërkua që t’i dënojë supremacistët e bardhë. Ai u përgjigj duke e udhëzuar një bandë të dhunshme, “Proud Boys”, që të qëndrojnë e të mbahen.

    Ai e ka minuar besimin në qeveri si mjet për ndërmjetësimin e dallimeve dhe arritjen e kompromiseve. Ai kërkon besnikëri absolute nga zyrtarët qeveritarë, pavarësisht interesit publik. Ai është haptazi përbuzës ndaj ekspertizës.

    Ai ka nisur një sulm ndaj sundimit të ligjit, duke e përdorur autoritetin e tij si instrument për ta siguruar pushtetin e vet dhe për t’i ndëshkuar kundërshtarët politikë. Në qershor, administrata e tij u hodhi gaz lotsjellës dhe i largoi protestuesit paqësorë nga një rrugë përballë Shtëpisë së Bardhë në mënyrë që z.Trump të mund të bënte fotografi me një libër që nuk e lexon para një kishe në të cilën nuk shkon.

    Sfera e plotë e sjelljes së tij të keqe mund të marrë dekada për të dalë në dritë, por ajo që tashmë dihet është mjaft tronditëse:

    Ai i ka rezistuar mbikëqyrjes ligjore nga degët tjera të qeverisë federale. Administrata në mënyrë rutinore i sfidon urdhrat e gjykatave dhe z.Trump në mënyrë të përsëritur i ka udhëzuar zyrtarët e administratës që të mos dëshmojnë në Kongres ose të mos ofrojnë dokumente, sidomos ato që e përfshijnë kthimin e taksave të z.Trump.

    Me ndihmën e Prokurorit të Përgjithshëm, William Barr, ai u ka vënë mburojë nga drejtësia ndihmësve të tij besnikë. Në maj, Departamenti i Drejtësisë tha se do ta hedhë poshtë ndjekjen penale ndaj ish-këshilltarit për siguri kombëtare, Michael Flynn, ndonëse z.Flynn ishte deklaruar fajtor për akuzën se e kishte gënjyer FBI-në. Në korrik, z.Trump ia zbuti dënimin një ish-ndihmësi tjetër, Roger Stone, i cili ishte dënuar për pengimin e një hetimi federal rreth fushatës zgjedhore të Trumpit në vitin 2016. Senatori Mitt Romney, republikan i Utah-s, me të drejtë e dënoi këtë zbutje dënimi si akt të korrupsionit të pashembullt dhe historik.

    Vitin e kaluar, z.Trump i bëri trysni qeverisë së Ukrainës për të nisur hetime kundër rivalit kryesor politik, Joe Biden, dhe më pas i udhëzoi zyrtarët e administratës që t’i pengojnë hetimet e Kongresit rreth veprimeve të tij. Në dhjetor të vitit 2019, Dhoma e Përfaqësuesve votoi për hetimin e z.Trump për krime të larta dhe kundërvajtje. Megjithatë, Republikanët e Senatit, me përjashtim të z.Romney, votuan për ta liruar presidentin nga hetimet, duke e injoruar korrupsionin e z.Trump për të vazhduar përpara me projektin e plotësimit të ulëseve të sistemit gjyqësor federal me avokatë të rinj konservatorë si mur zjarri kundër sundimit të shumicës.

    Tani, me liderë të tjerë republikanë, z.Trump është duke nisur një fushatë agresive për zvogëlimin e numrit të amerikanëve që votojnë dhe numrin e kutive që numërohen.

    Presidenti, i cili për një kohë të gjatë ka përhapur akuza të pabaza për manipulim të gjerë të votave, i ka shtuar sulmet e tij retorike muajve të fundit, sidomos ndaj votave të dorëzuara me postë. “Rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit mund të mos përcaktohet kurrë saktësisht”, shkroi ai në Twitter. Vetë presidenti ka votuar përmes postës dhe nuk ekzistojnë dëshmi që i mbështesin pretendimet e tij. Por fushata dezinformuese shërben si arsyetim për spastrim të listave të votuesve, mbyllje të qendrave të votimit, për hedhje në mënyrë të pakujdesshme të fletëvotimeve që mungojnë dhe ndryshe për t’i penguar amerikanët që ta ushtrojnë të drejtën për të votuar.

    Ky është një sulm i patolerueshëm pikërisht ndaj themeleve të eksperimentit amerikan në qeveri nga populli.

    Presidentë të tjerë modernë janë sjellur në mënyrë të paligjshme ose kanë marrë vendime katastrofale. Richar Nixoni e përdori fuqinë e shtetit kundër kundërshtarëve të tij politikë. Ronald Reagani e injoroi përhapjen e AIDS-it. Bill Clintoni u hetua për gënjim dhe pengim të drejtësisë. George W. Bushi e dërgoi kombin në luftë me pretendime të rreme.

    Z.Trump ka tejkaluar dekada të veprimeve të gabuara presidenciale brenda një mandati të vetëm.

    Gjatë një rasti tjetër të orëve të errëta të kombit, Frederick Douglassi e vajtoi presidencën e Andrew Johnson-it, duke thënë: “Ne duhet ta kemi qeverinë tonë aq të formësuar, saqë edhe kur është në duart e një njeriu të keq, ne të jemi të sigurt.” Por kjo nuk është natyra e demokracisë sonë. Optimizmi i nënkuptuar i demokracisë amerikane është që shëndeti i Republikës të qëndrojë në gjykimin e elektoratit dhe në integritetin e atyre që zgjidhen nga votuesit.

    Z.Trump është person që nuk ka integritet. Ai në mënyrë të përsëritur e ka shkelur betimin e tij për ta ruajtur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.

    Tash, në këtë moment rreziku, i përket popullit amerikan – edhe atyre që do të parapëlqenin një president republikan – që t’i ruajnë dhe t’i mbrojnë Shtetet e Bashkuara përmes votimit.

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni14 Nëntor 2024
    Prokurori i Posaçëm Jack Smith dhe anëtarët e ekipit të tij planifikojnë të japin dorëheqjen para se Presidenti i zgjedhur Donald Trump...
    Bota/Rajoni13 Nëntor 2024
    Senatori Marco Rubio është nominuar për Sekretar të Shtetit nga presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Rubio përmes...
    Bota/Rajoni13 Nëntor 2024
    Pothuajse gjysma e të rriturve i zë paniku kur bateria e celularit të tyre është pothuajse bosh. Është edhe më keq për...
    Të tjera
    Vip13 Nëntor 2024
    Mevlani ka tentuar që gjatë debatit të tij me Gresën ta përfshijë edhe Rovenën. Por e ajo e ka refuzuar teksa Gresa...
    Vip13 Nëntor 2024
    Mevlani dhe Gresa kanë debatuar me njëri-tjetrin për sjelljet e tij brenda shtëpisë teksa jashtë e dashura e tij është në pritje...
    Vip13 Nëntor 2024
    Arioni si kapiten i javës ka fituar avantazhin e tij e që është një darkë vetëm me Dianën larg banorëve të tjerë....
    Bota/Rajoni13 Nëntor 2024
    Senatori Marco Rubio është nominuar për Sekretar të Shtetit nga presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Rubio përmes...
    Bota/Rajoni13 Nëntor 2024
    Pothuajse gjysma e të rriturve i zë paniku kur bateria e celularit të tyre është pothuajse bosh. Është edhe më keq për...
    Sport13 Nëntor 2024
    Claudio Ranieri u prit nga qindra mbështetës të Romës në kthimin e tij nga një takim me pronarin e klubit Dan Friedkin...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.