×
  • Lajme
  • Lajme

    Edhe Vjosa Osmani kërkon të ndërpritet dialogu me Serbinë

    FrontOnline
    10 Nëntor 2020

    Në një intervistë për DW, Vjosa Osmani presidente e Kosovës në detyrë flet për procesin në Gjykatën Speciale, dialogun me Serbinë, rolin e Gjermanisë e presidentit të zgjedhur amerikan, Biden në këtë proces.

    Osmani vlerëson se nuk është momenti që të vazhdohet dialogu me Serbinë, këtë kërkesë e ka pasur edhe AAK-ja në ditën kur u konfirmua aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

    Intervista e plotë:

    Zonja presidente në detyrë dhe kryetare e Kuvendit, pak ditë më parë ju morët detyrën e Presidentes së Kosovës ashtu siç e parashikon kushtetuta, pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi për shkak se ai u akuzua nga Dhomat e Specializuara për krime lufte në Kosovë. Së bashku me të u akuzua edhe kryetari i një partie të madhe në Kosovë, dhe kreu i një grupi parlamentar të një partie po ashtu të madhe në Kuvendin e Kosovës. A mund të thuhet se në Kosovë ka jostabilitet institucional apo rrezikim të funksionalitetit të shtetit?

    Vjosa Osmani: Më lejoni ta përmend që në fillim se nuk është kohë e lehtë, aq më pak e zakonshme për Kosovën si shtet, për të gjithë qytetarët tanë, por edhe për institucionet tona. Natyrisht që përkundër këtyre zhvillimeve ne nuk duhet të kemi asnjë hezitim që ta përsërisim vazhdimisht të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë. E vërteta është se në Kosovë kanë ndodhur krime të llahtarshme të kryera nga Serbia, duke filluar nga tentim gjenocidi e deri tek krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, krime të cilat kanë qenë vazhdimësi e një regjimi që ka qenë i ngjashëm me Aparteidin nga viti 1989 deri në fund të luftës. Janë këto veprime për të cilat për fat të keq Serbia, akoma nuk ka dalë para drejtësisë, përkundër disa rasteve në ICTY në Tribunalin e Hagës, i cili tani nuk funksionon, siç e dini. Mirëpo shumica dërrmuese e kryerësve të krimeve akoma nuk kanë dalë para drejtësisë, gjë që ne duhet ta themi zëshëm çdo kohë, çdo kund edhe në Kosovë edhe jashtë vendit, para çdo forumi, në çdo insitucion, sepse po themi të vërtetën dhe si shqiptar nuk kemi asnjë nevojë që ta ekzagjerojmë të vërtetën, sepse tashmë ajo e vërtetë që ne kemi përjetuar është jashtëzakonisht e tmerrshme, dhe duhet të ngremë çdo ditë zërin për të kërkuar drejtësi.

    Ne kurrë nuk kemi kërkuar hakmarrje. Por vetëm drejtësi për viktimat, drejtësi për fëmijët e vrarë gjatë luftës, drejtësi për gratë dhe burrat e dhunuar gjatë luftës, drejtësi për të gjitha këto viktima. Dhe gjithashtu dhe reparacione për dëmin që Serbia ka krijuar në Kosovë. Mirëpo në anën tjetër Kosova është shtet prej më shumë se 12 vitesh, dhe gjatë këtyre viteve pavarësisht furtunave të shumta që kemi kaluar vazhdimisht është mbajtur stabiliteti institucional. Ne kemi një kushtetutë, e cila përcakton qartë që në rast të mungesës së Presidentit ushtrues detyre është Kryetarja e Kuvendit, gjë që është konfirmuar edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kemi një kushtetutë që e cakton kush e zëvendëson kryeministrin në rast të ndonjë mungese, kush e zëvendëson Kryetarin e Kuvendit. Unë kam pesë nënkryetarë të tjerë, të cilët mund të më zëvendësojnë. Pra janë çështje që janë ndërtuar në atë mënyrë që të sigurojnë stabilitetin institucional. Pra, për momentin institucionet tona janë duke funksionuar pa ndonjë problem. Por kjo nuk nënkupton që situata në Kosovë nuk është situatë e vështirë dhe mbi të gjitha për shkak se për qytetarët, për viktimat civile të luftës së fundit në Kosovë akoma nuk ka pasur drejtësi dhe kjo nënkupton që si institucione kemi obligim shumëfish më të madh tani për të ngritur zërin që të kërkojmë këtë drejtësi të munguar deri tani.

    Gjykata Speciale do të gjykojë pretendimet për krime lufte për ish-pjesëtarë të UÇK. Në Kosovë ka shumë zëra që thonë se Gjykata është e njëanshme, gjykon një etni. Dhe është rast precedent në drejtësi. Më intereson nga këndvështrimi i një juristeje, ju jeni njohëse shumë e mirë e këtyre gjërave, a pajtojeni ju me këtë konstatim?

    Vjosa Osmani: Në kohën kur Dhomat e Specializuara, siç po quhet Gjykata Speciale, me një terminologji pak më të lehtë, janë diskutuar në Kuvendin e Kosovës, janë diskutuar të gjitha këto që ju përmendët, pra ka pasur argumente se do të jetë një etni. Ka pasur argumente se gjykon njëra palë, përderisa siç e përmenda më parë nuk ka drejtësi për krimet e kryera nga Serbia. Që të gjitha këto argumenta janë vendosur në seancat e Kuvendit të Kosovës, por në fund ka qenë insistim i atëhershëm i qeverisë që në atë kohë përbëhej nga LDK dhe PDK, apo më qartësisht ka qenë një koalicion ndërmjet zotit Thaçi dhe zotit Mustafa, dhe kanë qenë që të dy si bartës të koalicionit që insistonin që me çdo kusht të formohej Gjykata Speciale. Sepse, siç na është thënë ne si deputetë në atë kohë, opcioni tjetër do të ishte shumë më i tmerrshëm, dhe ajo do të ishte formimi i një Gjykate Speciale nga ana e Kombeve të Bashkuara, ku pastaj nuk do të njiheshin ligjet e Kosovës, do të ktheheshim mbrapa në kohën e UNMIK-ut, ku do t’i jepeshin kompetenca shtesë edhe në fushën e drejtësisë dhe të politikës së jashtme Kombeve të Bashkuara.

    Pra kompetenca këto që ne i morëm pas shpalljes së pavarësisë. Në një fare mënyre ishte një atak mbi shtetësinë e Kosovës, nëse do të shkonim në atë drejtim. Dhe ky pak a shumë ka qenë argumenti themelor pse shumica dërrmuese e deputetëve vendosën, ose të paktën të flas për veten time, mos të ekzagjeroj, e kemi përkrahur në atë kohë. Por ka qenë siç e thashë, barrë që e ka marrë përsipër ai koalicion në atë kohë, koalicion i cili përbëhej nga dy të tretat. Dhe nëpërmjet asaj përkrahjeje politike që kishte koaliconi, arriti që të bënte dy të tretat në Kuvendin e Kosovës për ta ndryshuar Kushtetutën madje, dhe për ta futur Gjykatën Speciale si pjesë të sistemit tonë juridik. Pavarësisht argumentave që thuhen tani, kjo Gjykatë është obligim ndërkombëtar që ka marrë Kosova, nëpërmjet ratifikimit të një marrëveshjeje ndërkombëtare, në atë kohë ndërmjet Presidentes Jahjaga dhe Bashkimit Evropian.

    E dyta, ajo marrëveshje është shndërruar në amendament kushtetues, të cilin e kanë mbartur përsipër dy udhëheqësit e koalicionit së atëhershëm. Dhe e treta, është shndërruar edhe në ligj shtesë, i cili pastaj determinon procedurat. Tashti unë edhe ditën kur është miratuar Gjykata Speciale kam treguar argumentat pro dhe kontra, vërejtjet që kam pasur. Nuk besoj që tani është koha që të kthehemi atje, por dua ta përmend një fakt që vetë zyrtarë të Speciales disa herë kanë deklaruar, ose ish- prokurorë që kanë punuar aty dhe kanë marrë pjesë në hetime kanë dhënë deklarata publike që askund në dokumentacionin, nëpërmjet të cilit është krijuar Specialja nuk thuhet që do të merren me një etni apo tjetrën, por vetëm përcaktohet mandati kohor, pra që do të hetojnë krimet nga një periudhë deri në një periudhë tjetër, pra përcaktohet juridiksioni kohor, ai territorial, etj., por jo që do të merren vetëm me një etni.

    Ne tani do të shohim se çfarë mund të presim në të ardhmen nga ana e Dhomave të Specializuara, mirëpo nuk do të doja tani të hyja të komentoja çështjet që kanë përfunduar në momentin që është votuar kjo Gjykatë. Sepse me vullnetin e vet Kosova ka formuar, me vullnetin e vet e ka bërë pjesë të Kushtetutës, me vullnetin e vet e ka bërë pjesë të sistemit juridik. Pra të gjitha këto detaje kanë qenë të ditura që atëherë.

    Të flasim për zhvillimet e politikës së brendshme. Zgjedhja e presidentit të ri është detyrë e partive politike parlamentare, sipas sistemit parlamentar zgjedhor të Kosovës. Ju ushtroni edhe detyrën e Kryetares së Kuvendit. Jeni e gatshme ta bëni të plotë detyrën e Presidentes për një mandat pesëvjeçar, nëse ju ofrohet?

    Vjosa Osmani: Jo, nuk besoj që tani unë do të jem ndër personat që do të bëhet pjesë e kalkulimeve politike në parlamentin aktual. Unë nuk dua të jap vlerësime rreth asaj, se ku qëndrojnë partitë politike nga kjo zyrë, por besoj se tashmë e dini qëndrimin tim politik që e kam shprehur më parë si Kryetare e Kuvendit, si përfaqësuese e zgjedhur e qytetarëve të Kosovës, siç e kam me legjitimitetin popullor që është dhënë më datë 6 tetor, dhe i cili natyrisht e ka zgjedhur Kuvendin aktual. Megjithatë unë personalisht nuk do të bëhem pjesë e kalkulimeve të tilla.

    Ndodhemi në fazën kur po zhvillohet dialogu. Ju thoni që ka stabilitet institucional në Kosovë. Si mendoni se duhet zhvilluar dialogu? Ka zëra që thonë se dialogu duhet ndërprerë…

    Vjosa Osmani: Unë mendoj që për shkak të zhvillimeve aktuale tani nuk është momenti që të vazhdohet dialogu menjëherë. Dhe duhet që institucionet e Kosovës të marrin pak kohë, të ulemi, të konsultohemi mes vetes, të krijojmë një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut, sepse është e domosdoshme që kushdo që negocion në emër të Kosovës, për fatin e Kosovës, të ketë një qëndrim shumë më të unifikuar të spektrit politik se sa vetëm të koalicionit që përfaqëson. Unë do të jap kontributin tim maksimal në këtë drejtim, që të diskutojmë së bashku me të gjithë, lidhur me atë se cilat do të duhet të ishin qëndrimet e Kosovës.

    Por tani nuk besoj se është momenti i duhur, që Kosova të vazhdojë kinse asgjë nuk ka ndodhur. Jo se nuk i ka institucionet. Institucionet janë. Mirëpo për shkak se situata nuk është e njëjtë, siç ishte para disa ditësh. Kjo duhet të merret parasysh. Duhet të bëhet një rievaluim i procesit të deritanishëm, çfarë është negociuar, si është negociuar, çfarë është arritur, sado pak që mund të ketë qenë ajo e arritur. Por të gjithë bashkarisht, t’i ndërtojmë hapat më tutje. Dhe të mos kemi raste kur negociohet diçka në Bruksel, dhe ne si institucione të tjera e marrim vesh pastaj qoftë nëpërmjet Brukselit, ose zyrtarëve atje, qoftë nëpërmjet mediave. Por të jenë këto një lloj konsultimi paraprak, një lloj komunikimi paraprak i qëndrimit që pastaj kushdo që negocion në emër të Kosovës, ta ketë më të qartë çfarë pret Kosova prej tij ose prej saj.

    Në anën tjetër, si Kuvend i Kosovës, tani të flas nga cilësia e Kryetares së Kuvendit, në një moment ia kemi bërë të qartë secilës qeveri se cilat javë vijat e kuqe, lidhur me temat që nuk do të duhej të diskutoheshin, dhe ato kanë të bëjnë jo vetëm me sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, por edhe me rregullimin e brendshëm të Kosovës, pra mënyrën se si funksionojnë. Nuk lejohet askush të negociojë për krijimin e një pushteti të tretë. Dhe duhet që qeveria të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme që të mos bjerë në kurthe të tilla, të cilat Serbia i ndërton duke hapur këto tema në Bruksel, kinse vetëm formalisht, por që pastaj shndërrohen në kompromise të reja për Republikën e Kosovës. Ne që e kemi përcjellë një kohë të gjatë dialogun e kemi parë se si kanë arritur deri këtu. Mirëpo gabimet nuk duhet të përsëriten.

    Marrëdhëniet tuaja me kryeministrin nuk duken shumë të mira. Marr parasysh që qeverinë e tij nuk e keni votuar, ndonëse vinit nga e njëjta parti. Ndërsa, tani së voni nuk jeni më nënkryetare e LDK. Jeni e gatshme të jeni pjesë e dialogut, në këtë pozicion në të cilën po flisni, si presidente në detyrë, nëse duhet eventualisht nënshkruar ndonjë marrëveshje gjithëpërfshirëse nëse flas në krijimin e një uniteti kombëtar?

    Vjosa Osmani: Unë e thashë që uniteti do të duhet të ndërtohej për të përcaktuar se cilat janë qëndrimet e Kosovës dhe të ketë unifikim paraprak. Mirëpo asnjë njeri racional nuk do të duhej të shkonte në Bruksel vetëm sa për nënshkrime dhe formalitete. Unë do të isha pjesë e një procesi, ku vetë jam pjesë e negociatave që nga fillimi, dhe jo vetëm t’ja jap atë farë formalitetin e fundit. Dhe të jem pjesë e nënshkrimit të marrëveshjeve që nuk i kam negociuar vetë. Uniteti është i domosdoshëm, por ne duhet ta bëjmë një hap mbrapa në procesin e dialogut, sidomos pas deklaratave të fundit të zotit Lajcak, i cili ka kërkuar që Kosova të shtyjë përpara ndryshimin e Kushtetutës për çështjen e asosacionit. Pra liderët politikë dhe institucionalë të Kosovës duhet të ulen për të rikonfirmuar qëndrimet e veta lidhur me këto tema në detaje dhe jo të flitet në përgjithësi që udhërrëfyesi është Kushtetuta. Kushtetuta ka qenë gjithmonë udhërrëfyesi. Por i kemi 33 marrëveshje të nënshkruara deri tani, shumë prej të cilave kanë shkuar përtej Kushtetutës, sidomos dokumenti i viti 2015 i nënshkruar në Bruksel për asosacionin.

    Pra nuk duhet të jetë e mjaftueshme për askënd fakti që e përmendi Kushtetutën e Kosovës kurse nga ana tjetër nënshkruhet marrëveshje që tejkalon kornizat që përcaktohen me Kushtetutë. Ne duhet të ulemi të gjithë bashkarisht, t’i ripërcaktojmë qëndrimet, të vendosim si do të ecet përpara dhe pastaj të diskutohet për çështjet e formaliteteve. Mirëpo vetëm të shkoj dhe të nënshkruaj marrëveshjen që e ka negociuar dikush tjetër do të ishte absurd për secilin mbartës institucional. Sepse nuk mund të marrësh përsipër nënshkrimin e një marrëveshjeje kur nuk ke marrë pjesë në negocijimin e saj. Unë nuk jam aty si figurë, unë përfaqësoj, jam liderja e dytë më e votuar në Republikën e Kosovës, pra përfaqësoj qytetarët e Kosovës dhe mund të flas në emër të popullit të Kosovës, nuk jam aty një figurë formale, që do të duhej të priste në këmbë përderisa dikush tjetër është duke nënshkruar marrëveshje. Mirëpo do të jap përkrahje për secilin dokument që është në të mirë të Kosovës, cilindo dokument që e avancon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, por asesi dokumente që cungojnë qoftë shtetësinë tonë, qoftë rregullimin tonë të brendshëm.

    Nëse i hyjmë listës së koncensioneve që Kosova ka bërë deri tani që nga koha e Ahtisaarit e deri tani, do na duhet të tëra që t’i diskutojmë, nuk po i hy tani. Kurse koncensionet e bëra nga Serbia janë tepër të vogla, për të mos thënë të pavolitshme. Flasim ato që i kemi bërë ne. Nuk është koha dhe as momenti që ne të bëjmë koncensione shtesë, që e bëjnë shtetin tonë edhe më jofunksional. Është koha për Serbinë që të bëjë konsensionet e veta. Dhe pastaj të shohim nëse mund të ecet përpara. Por ne të bëjmë koncensione të vazhdueshme me shpresën se kinse ata do na njohin dhe në fund ata të sillen siç janë sjellë edhe në vitin 2007, 2008 dhe tani në këto marrëveshjet e fundit, unë besoj se është qasja e gabuar. Thjesht Serbisë nuk i besohet. Nuk mund t’i besohet. Kushdo që e ka përcjellë pak historikisht mënyrën se si ata sillen në politikën e jashtme, me nënshkrimin e marrëveshjeve, pavarësisht me kë i nënshkruajnë, duhet ta dijë që Serbia si tipar kryesor ka pabesinë. Janë të pabesë, si institucione po flas, si lider politik, nuk e mbajnë fjalën dhe nuk i respektojnë nënshkrimet e tyre. Prandaj nuk do të duhej të prisnim diçka tjetër ne nga Serbia në këtë rast.

    Në SHBA kemi një president të ri, Joe Biden, i cili edhe gjatë fushatës paralajmëroi se do të ketë një qasje ndryshe nga Donald Trump dhe i dërguari i tij Grenell rreth dialogut me Serbinë. Nga pikëpamja juaj ka shpresë për një dinamikë të re të dialogut?

    Vjosa Osmani: Mendoj që problemi kurrë nuk ka qenë dinamika, kanë qenë qëndrimet. Ta zemë gjatë administratës Trump në fillim ishte këshilltari për sigurinë nacionale zoti Bolton, i cili përkrahu idenë e ndryshimit të kufijve, një prej ideve më të rrezikshme historikisht për rajonin tonë, dhe jo vetëm për Kosovën. Dhe e krijoi një situatë ku komplet skena politike në vend kishte mosbesim në raport me dialogun. Madje kjo ide është shtyrë për dy vite, dhe e ka vendosur Kosovën në një situatë tepër të palakmueshme, ku ish-kryeministri Haradinaj është detyruar të vendosë tarifa ndaj mallrave të Serbisë, pikërisht për të krijuar edhe një pengesë shtesë, në mënyrë që kjo temë të ndalohej. Prandaj nuk besoj që ne duhet të jemi të kënaqur me dinamikën, nëqoftëse ajo dinamikë shkon në drejtim të gabuar. Në këtë rast mund të ketë pasur dinamikë shtesë, por ajo dinamikë ka shkuar absolutisht në drejtim të gabuar. Pra kemi pasur nga ish- Këshilltari për Siguri Nacionale mbështetje të plotë për ide që janë shkatërrimtare për Kosovën, për pavarësinë e saj, për kufijtë e saj, si element kostituiv shtetëror dhe për çështje të tjera. Prandaj edhe ne nuk duhet të shohim a ka dinamikë, por cila është qasja, cili është qëndrimi.

    Në kohën kur zoti Biden ka qenë zëvendëspresident, meqenëse kemi bashkëpunuar shumë afër në atë kohë, fillimisht kur kam qenë këshilltare dhe shefe e stafit në Presidencë dhe pastaj si deputete, dhe më vonë Kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, ne kemi parë një qasje të administrates amerikane ku edhe për shkak se Zonja Clinton ishte fillimisht Sekretare e Shtetit, mirëpo përveç që ka pasur kujdes të vazhdueshëm në raport me Kosovën, qasja amerikane ka qenë tepër e qartë, edhe për punën e kufijve, edhe për rregullimin e brendshëm të Kosovës, pra nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë insistim nga pala amerikane që ne t’i diskutojmë kufijtë në tavolinë. Prandaj unë pres sërish nga administrata e re, administrata e Bidenit që në radhë të parë të veprojë duke qenë që zoti Biden e njeh shumë mirë të kaluarën në Kosovë, e njeh kontekstin, e di që asnjëherë nuk mund të krijohet kjo ekuivalenca ose barazia morale e asaj se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë dhe çfarë mund të kenë bërë individë të caktuar. E di shumë mirë që Serbia ka kryer krimet më të llahtarshme kundër njerëzimit në vend, përfshirë edhe gjenocidin, dhe ai ka qenë një nga personat që i ka qëndruar pranë Kosovës kur diplomatë ose politikanë kanë qenë të paktë që kanë qenë zëri ynë. Ai ka qenë vërtet zëri ynë në kohën kur ne nuk kishim zë.

    Si e shihni rolin e Gjermanisë në procesin e dialogut me Serbinë. Sipas ambasadorit gjerman këtu në Kosovë në një intervistë për Deutsche Wellen, ai thotë se Gjermania do një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, e cila i zgjidh të gjitha çështjet, përfshirë edhe atë të njohjes reciproke?

    Vjosa Osmani: Unë mendoj që një gjuhë e qartë e Gjermanisë sikurse kjo që ju sapo e cituat është tejet e nevojshme në këtë proces, sepse, përderisa Gjermania është e qartë, ka shtete, ka zyrtarë të caktuar që nuk e quajnë këtë me emrin e vërtetë që është njohja reciproke, por e quajnë normalizim. Natyrisht që Kosova është në dialog për njohje reciproke, por jo edhe vetëm për njohje reciproke. Pra njohje reciproke në kufijtë aktualë dhe me rregullimin e brendshëm shtetëror që e kemi me kushtetutën aktuale të Kosovës pa ndonjë ndryshim. Prandaj është e domosdoshme të sigurohemi që kjo qasje e Gjermanisë të bëhet më gjithëpërfshirëse, të jetë qasje që e adoptojnë edhe shtetet e tjera, në veçanti Bashkimi Evropian si mekanizëm, pra Brukseli dhe dua të them që përtej kësaj, përtej qasjes së tanishme, Gjermania ka pasur rol krucial, vendimtar në parandalimin e ideve të rrezikshme dhe aventurave të rrezikshme për ndryshim kufijsh. Për këtë ne si Kosovë i jemi Gjermanisë përjetësisht mirënjohës dhe shpresojmë shumë që do të avancohet bashkëpunimi me Gjermaninë në këtë periudhë, sepse jo vetëm që është shteti më i fuqishëm në Bashkimin Evropian, por edhe është shteti që e ka përkrahur më së shumti Kosovën në baza të ndryshme para dhe pas luftës, në procesin e ndërtimit të shtetësisë. Prandaj gjatë dialogut me Serbinë presim rol të shtuar të Gjermanisë, jo vetëm për të parandaluar katastrofa të tilla siç ishte ideja e ndryshimit të kufijve, por edhe për të marrë këshillat idetë dhe përkrahjet që kemi nevojë si Kosovë për ta shtyrë përpara këtë proces dhe siç e ka thënë edhe vetë ambasadori gjerman këtu në Kosovë, për të përfunduar me një marrëveshje që i trajton të gjitha çështjet, përfshirë njohen reciproke si finale.

    Jeni zgjedhur kryetare e Kuvendit në një proces të rregullt nga një koalicion ndërmjet LDK-se dhe VV. Ai koalicion nuk është më, ndërkohë që Ju siç keni deklaruar disa herë jeni përjashtuar nga LDK. Si dhe ku është e ardhmja politike e Vjosa Osmanit?

    Vjosa Osmani: Ajo që kam deklaruar nuk është vetëm deklaratë e imja por është çështje që konfirmohet me vendime të këshillit të përgjithshëm, pra ka qenë zgjedhje e LDK-së që të vazhdojë rrugën përpara pa mua. Pra ka qenë zgjidhje e tyre, sepse më kanë mbyllur çdo derë në mënyrë që të mos të funksionojë aty. Mirëpo unë, nga pozita e presidentes së Kosovës nuk dua të hyj në detaje më shumë. Siç e thatë edhe ju jam zgjedhur nga kuvendi i Kosovës si kryetare e Kuvendit, nuk është hera e parë që funksionet kushtetuese vazhdojnë pavarësisht se çka ndodh me koalicionin, nuk do të doja që të hyjë në detaje lidhur me rrugën politike timen, por ajo që dua të them është që do të vazhdojë të jem në skenën politike dhe aty se ku do të jem unë do ta përckatojnë qytetarët e Kosovës, siç e kanë përcaktuar gjithnjë.

    Dhe pikërisht ata qytetarë për të cilët po flisni dëshirojnë ta dëgjojnë nga Vjosa Osmani se ku është e ardhmja e saj politike. E keni menduar rikthimin tuaj në LDK dhe ta bëni luftën aty brenda partisë?

    Vjosa Osmani: Jam deklaruar disa herë për këtë cështje dhe nuk dua të hyj në këtë temë. Një derë e cila gozhdohet, nuk është që mund të hapet.

    Do të thotë ju preferoni alternativa tjera politike?

    Vjosa Osmani: Po them sërish që është çështje që nuk do ta doja sot nga kjo zyrë të flas nga zyra e presidentes, edhe pse një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese e sqaron që ushtruesi i detyrës mund të merret me aktivitet politik, për dallim nga presidenti i zgjedhur nga kuvendi, megjithatë për shkak të situatës, nëpër të cilën po kalojmë nuk do ta doja sot të hyjë në detaje për këtë çështje.

    Nga Rubrika
    Lajme17 Nëntor 2024
    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka kujtuar vëllanë e tij, Luanin, i cili do ta festonte ditëlindjen e 51-të sot nëse...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Deputeti i AAK-së njëherit edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, e konsideron mashtrim populist, premtimin...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Që prej përfundimit të Zgjedhjeve Lokale 2021 dhe deri në muajin gusht të vitit 2024, rreth 40 mijë emra të personave të...
    Të tjera
    Lajme17 Nëntor 2024
    Buxheti vjetor komunal është thelbësor për financimin e projekteve të ndryshme. Ai siguron shërbime cilësore për qytetarët dhe kontribuon në zhvillim ekonomik...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se sot do të mbajë një tubim në...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot viziton Augsburgun e Gjermanisë. Para diasporës, ai do ta prezantojë programin e plotë të partisë. Tubimi...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do të lëvizin...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Të dielën PDK do të mbaj konferencë për media Sipad njoftimit, konferenca do mbahet në selinë e PDK-së në ora 13:00, shkruan...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Për të dielën parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell, me përjashtim për në orët e mëngjesit ku do të ketë vranësira...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.