Një emër tjetër tregtar i lidhur me njerëz të politikës, e që implikohet në skemën e vjedhjes nga Thesari, është “KREATIV” Sh.P.K. Kjo ndërmarrje private është pronë e Astrit Zejnajt, vëllait të Argjend Zejnajt, anëtarit të Këshillit Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Gjatë Qeverisë Haradinaj (2016-2019), Argjend Zejnaj shërbeu si shef i Kabinetit të Pal Lekajt, ish-ministrit të Infrastrukturës. Pikërisht nga linja buxhetore e kësaj ministrie u tërhoqën paratë, të cilat më pastaj u përdorën për kryerjen e pagesave ilegale nga Thesari i Shtetit për kompaninë “LDA Group”.
“KREATIV” Sh.P.K. është e regjistruar në Prishtinë në vitin 2016. Sipas regjistrit të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, drejtor i saj figuron Astrit Zejnaj, ndërkaq aksione në kompani zotëron edhe Arjeta Selmanaj./Insajderi