×
  • Lajme
  • Lajme

    Edhe pas një viti pa vaksina, Kosova vlerësohet se e menaxhoi mirë pandeminë

    FrontOnline
    13 Mars 2021

    13 marsi i vitit 2020 shënon ditën kur në Kosovë u identifikuan dy rastet e para me koronavirus, pandemi kjo e cila për më shumë se një vit ka pushtuar botën. Nga atëherë e deri më tani në Kosovë pozitiv me COVID-19 kanë rezultuar mbi 76 mijë raste, ndërsa betejën me këtë sëmundje e kanë humbur 1 mijë e 688 persona. E përkundër këtyre shifrave autoritetet shtetërore po vlerësojnë që Kosova me sistem shëndetësor të brishtë e ka menaxhuar suksesshëm pandeminë COVID-19.

    Në ora 17:30 të 13 marsit të vitit u konfirmuan dy qytetarët e parë të infektuar me koronavirus. Ata ishin një burrë 77-vjeç nga fshati Stubëll e Vitisë dhe një grua 20 vjeçe nga Italia.

    Në një konferencë të jashtëzakonshme lajmin për dy rastet e para e dhanë kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga ministri i kohës i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Një vit më pas, pandemia po tentohet të vihet nën kontroll falë vaksinës. Të gjitha vendet pothuajse kanë siguruar dozat për vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19, por autoritetet shëndetësore në Kosovë ende nuk kanë arritur të sjellin asnjë dozë, as për kategoritë që janë më të rrezikuara.

    KosovaPress ka dëgjuar disa nga rrëfimet e disa prej protagonistëve shëndetësorë të cilët ishin dhe vazhdojnë të jenë ushtarët e vijës së parë të frontit në luftën me pandeminë COVID-19.

    Infektologu në Klinikën Infektive, Izet Sadiku, thotë se përgjatë këtij një viti janë përballur me shumë sfida qoftë profesionale por edhe emocionale. Derisa thotë se shpesh i gëzoheshin shërimit të pacientëve, Sadiku deklaron se shumë më vështirë e kanë përjetuar momentin kur kanë humbur ndonjë pacientë.

    Izet Sadiku, i cili ishte edhe zëvendësministër i Shëndetësisë në Qeverinë Kurti, tha se përkundër rrezikut asnjë profesionist shëndetësor nuk ka refuzuar të punojë dhe të jetë afër pacientëve.

    “Jemi ndjerë të pafuqishëm të bëjmë diçka në momentin kur e ke parë që po të shkon njeriu dhe po vdes dhe nuk kemi mundur dhe me gjithë kontributin e dhënë ka qenë gjendje e rëndë por mendoj se kur bëhet një analizë pas një viti, konsideroj se megjithatë duke e ditur që çfarë shëndetësie kemi dhe sa është investuar vite më parë, mendoj që mund të dalim ballëhapur para qytetarëve për arsyes se që 1 vit është bërë dhe asnjë koleg i yni nuk ka hezituar për të punuar”, u shpreh Sadiku.

    Izet Sadiku, i cili gjatë kësaj jave u zgjodh edhe ushtrues i detyrës i drejtorit të Klinikës Infektive, kujton momentet e para një viti kur rezultuan pozitivë dy qytetarët e parë.

    “Ka qenë një vit me plotë sfida dhe të panjohura. Në rastin e parë kur u identifikua (me COVID) ne kemi (qenë) të dyshuar pastaj që të gjithë. Gjysma kemi qenë të dyshuar për arsye se ishte një kolege e cila e ka identifikuar rastin e parë dhe ajo kishte ardhur të nesërmen. Nuk e dinim se cili ishte kontakti, se a mund të jetë infektuar ajo apo jo. Ajo pastaj është izoluar për dy javë. Mirëpo ne të tjerët që kishim kontakte atë ditë, një pjesë e stafit të klinikës, të gjithë kemi qenë të izoluar derisa ajo e ka bërë testin. Në 8 në mbrëmje e ka bërë testin dhe në orën 24:00 të natës e ka marrë rezultatin dhe pastaj pas daljes së saj negative, ne të tjerët filluam të dalim nga izolimi”, tha ai.

    Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi thotë se Kosova ka menaxhuar mirë pandeminë COVID-19. Sipas tij, kanë punuar në tri drejtime për të arritur në këtë pikë.

    “Kosova ka bërë menaxhim të mirë të pandemisë COVID-19. Ne me sukses ia kemi arritur ta menaxhojmë pandeminë COVID-19 do ta quaja në të gjitha aspektet, përfshirë aspektin epidemiologjik dhe atë klinik. Ne gjatë kësaj kohe kemi punuar në tri drejtime, të paktën si Shërbim Spitalor Klinik Universitar në radhë të parë, në investimet në infrastrukturë sidomos në ndërrimin e sistemit me oksigjen. Ka qenë edhe riorganizimi i tërësishëm i hapësirave të reja të shtretërve, ju e dini që gjatë muajit dhjetor, nëntor kemi pasur mbi 1 mijë pacientë të shtrirë në klinikat tona, nuk kemi spitale rezervë dhe është dashur këto që i kemi t’i riorganizojmë dhe fusha e tretë ku kemi punuar ka qenë riorganizimi i stafit shëndetësor”, tha Krasniqi.

    Sfidë për sistemin shëndetësor atë kohë, sipas Krasniqit,s ishte edhe sigurimi i pajisjeve mbrojtëse për profesionistët shëndetësorë.

    Krasniqi, i cili më 13 mars ishte pjesë e Klinikës Infektive e cila ishte adresa kryesore për trajtimin e pacientëve me COVID, tregoi se si në këtë klinik kishin nisur përgatitjet për t’u përballur me këtë pandemi.

    Edhe pas një viti me ballafaqimin me COVID-in, Valbon Krasniqi thotë se para një viti nuk kishte besuar që pandemia do të zgjaste deri tani.

    “Ishte një virus i ri, me shumë të panjohura, saktësisht sot bëhen një vit që këto dy rastet e para që u konfirmuan në Kosovë, u shtrinë në Klinikën Infektive, pra ato erdhën më 12 mars dhe të nesërmen më 13 mars u konfirmuan në laboratorin mikrobiologjik si rastet e para me COVID. Edhe ne si profesionistë shëndetësorë qysh gjatë muajit janar dhe shkurt u përgatitëm për këtë pandemi dhe në fillim përgatitjet kishin të bënin me mbrojtjen e personelit shëndetësor që do të trajtonte. Më pastaj filluan ato sfidat e trajtimit se cilat barna do përdoren, as bota nuk kishte një protokoll të unisuar, disa vende përdornin barna të tjera e disa të tjera, gradualisht filluan të qartësohen gjërat. Askush nga ne nuk e ka paramenduar, ose po flas për vete, nuk e kemi paramenduar se mbase kjo pandemi do të zgjasë kaq shumë, sidoqoftë virusi ka arritur që t’i mbijetojë të gjitha sezoneve të viti kalendarik dhe tash një vit pas rasteve të para ne ende jemi në pandemi”, tha Krasniqi.

    Në luftën me pandeminë në Kosovë më të atakuarit ishin profesionistët shëndetësorë. Një numër i lartë i tyre edhe u infektuan me koronavirus, e fatkeqësisht disa edhe e humbën jetën.

    Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla tha se sistemi shëndetësor në Kosovë nuk ka qenë aspak i përgatitur për t’u përballur me këtë virus.

    Syla thotë se askush nuk ka ditur se si të sillet karshi këtij virusi që kaploi botën.

    “Kemi filluar me një apo dy aparate PCR, me një kuadër të mangët i cili ka filluar prej detektikimit dhe me një numër shumë të vogël testimesh, pra kjo ka bërë që ky numër i vogël i testimeve të na rris numrin e të infektuarve të pa detektuar. Hapësirat me të vërtetë kanë qenë shumë të vogla dhe sistemi i oksigjenimit ka qenë me të vërtetë për të dëshiruar andaj kanë qenë sfida të cilat janë më të rëndat. Duke ia shtuar kësaj se ne atëherë nuk kishim protokolle dhe gjithmonë bazoheshim në protokollet nga jashtë nga OBSH kemi qenë pothuajse totalisht të papërgatitur, vetëm me disa vitamina që mund t’iu ofronim pacientëve, dhe atëherë me të vërtetë ka qenë situata e rëndë për vetë profesionistët shëndetësorë. Ka qenë sfidë sepse nuk kemi ditur as si të sillemi se një armik i panjohur dhe në fakt aty pastaj ka ndodhur edhe infektimi i punëtorëve shëndetësorë”, theksoi Syla.

    Ai tha se meqenëse nuk kishte shumë njohuri për këtë armik të padukshëm për shëndetin, atë kohë u rritën ndjeshëm edhe vizitat mjekësore dhe kjo shkaktoi ngarkesë më të madhe për sistemin shëndetësor.

    Syla, në një rrëfim për KosovaPress, ka thënë se në fillim të rasteve të para të pandemisë kanë munguar edhe pajisjet mbrojtëse për mjekët.

    “Për fat të keq numri i të infektuarve nga viti i kaluar ka kaluar mbi 4 mijë punëtorë shëndetësorë pa dallim këtu mjek, infermierë dhe staf mbështetës dhe numri i të vdekurve është mbi 30. Nuk kemi pasur as mbrojtje sa duhet, vetëm një shembull po ua jap ditët e para iu kujtohet që ka pasur punëtor nëpër Dogana është dashur Federata Sindikale të sigurojë vetë ushqimin, institucionet nuk kanë bërë asgjë, vetëm teshat mbrojtëse, nuk kanë bërë asgjë, ka pasur raste që kanë mbajtur teshat për dy-tri ditë prandaj them se situata ka qenë shumë e vështirë”, u shpreh Syla.

    Ndryshe, numri total i rasteve pozitive me COVID në vend është 76.110 raste nga 348.381 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.688 raste të vdekjes. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 63.892 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.530.

    Nga Rubrika
    Lajme16 Nëntor 2024
    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të ndihmuar në identifikimin e tre personave të dyshuar për shpërdorim të pasurisë...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar edhe fabrikën e stiroporit dhe rrjetave të fasadave “Rreze Company” në Skenderaj. Hamza...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Pranë Xhamisë së Llapit, sot u zbulua monumenti i dëshmorit, Ismet Krasniqi. Vendi ku i ngrit ky monument, është vendi ku Krasniqi...
    Të tjera
    Lajme16 Nëntor 2024
    Vlora Çitaku, sekretare e Përgjithshme e PDK-së, ka reaguar për lajmin e refuzimit të projektit të Fahrije Hotit, fermere nga Krusha e...
    Bota/Rajoni16 Nëntor 2024
    Sektori i kujdesit shëndetësor në Gjermani është më i prekuri nga mungesa aktuale akute e punëtorëve të kualifikuar, u tha në një...
    Lajme16 Nëntor 2024
    Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ndarë pamje nga tubimi që mbajti kjo parti mbrëmë në Komunën e Podujevës....
    Lajme16 Nëntor 2024
    Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ndarë pamje nga tubimi që mbajti kjo parti mbrëmë në Komunën e Podujevës....
    Lajme16 Nëntor 2024
    Një burrë në Podujevë ka raportuar në Polici zhdukjen e motrës së tij, Samire Bitiq. Në njoftimin e Policisë thuhet se e...
    Bota/Rajoni16 Nëntor 2024
    Irani dhe Arabia Saudite kanë qenë rivalë të përbetuar për dekada të tëra, duke u përpjekur që të udhëheqin degët konkurruese të...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.