×
  • Lajme
  • Lajme

    Edhe dy ditë afat për nxjerrjen e dokumenteve të Kosovës mbi bazën e atyre serbe

    FrontOnline
    28 Prill 2025

    Edhe dy ditë skadon afati për të marrë dokumente të Kosovës mbi bazën e atyre që lëshohen nga organet serbe për qytetet në Kosovë – sikurse certifikata e lindjes, martesës apo vdekjes.

    Një pjesë e qytetarëve, kryesisht nga komuniteti serb, nuk kanë mundur të marrin dokumente të Kosovës pasi kishin vetëm dokumente të lëshuara nga institucionet serbe, të cilat autoritetet e Kosovës nuk i njohin.

    Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) në nëntor të vitit të kaluar mori një vendim që lejon regjistrimin në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Kosovës mbi bazën e dokumenteve serbe.
    Bazuar në ekstraktin nga libri amë i lindjeve, ndër të tjera, aplikuesit mund të fitojnë shtetësinë e Kosovës, gjë që më pas u mundëson nxjerrjen e letërnjoftimit, realizimin e të drejtave të ndryshme administrative dhe të tjera.

    Sipas MPB-së, nga 1 shkurti deri më 25 prill, janë kryer gjithsej 4.330 regjistrime në sistemin kosovar mbi bazën e dokumenteve serbe.

    Nuk ka të dhëna zyrtare të sakta për numrin e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe që posedojnë dokumente kosovare, pasi ky komunitet, sidomos në katër komunat në veri, ka bojkotuar regjistrimin e popullsisë më 2024.

    Sipas vlerësimeve të sektorit civil serb dhe autoriteteve lokale në komunat me shumicë serbe, në Kosovë jetojnë rreth 100.000 serbë. Një raport i organizatës joqeveritare Aktiv nga viti 2023, me titull “Analiza e trendëve, qëndrimet e komunitetit serb”, tregoi se mbi 90 për qind e 536 të anketuarve posedojnë dokumente të Kosovës.

    “Pavarësisht pretendimeve se në veri të Kosovës ka rezistencë më të madhe ndaj nxjerrjes së dokumenteve kosovare, është e qartë se shumica dërrmuese kanë marrë letërnjoftimet e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në raport.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës të hënën u ka bërë thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën për regjistrim gjatë dy ditëve të mbetura, pasi pas datës 30 prill një gjë e tillë më nuk do të jetë e mundur.

    Çfarë ndodh pas skadimit të afatit për regjistrim?

    MPB-ja nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse pas skadimit të afatit do të tolerohen ende dokumentet serbe, siç ka ndodhur në raste të veçanta kur qytetarët kishin vetëm letërnjoftime të lëshuara nga organet e Serbisë.

    Zyrtarisht, institucionet e Kosovës i konsiderojnë institucionet serbe që funksionojnë në qytetet e Kosovës si paralele dhe ilegale, ndërsa Beogradi refuzon t’i mbyllë ato pasi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.

    Në fillim të vitit 2024, autoritetet e Kosovës kanë nisur mbylljen e institucioneve serbe, përfshirë organet e përkohshme komunale që ishin përgjegjëse për lëshimin e ekstrakteve të lindjes dhe dokumenteve të tjera. Edhe pas mbylljes, këto institucione nuk e kanë ndërprerë punën, por janë zhvendosur në qytetet kufitare në territorin e Serbisë.

    Çfarë dokumentesh kërkohen për regjistrim në sistemin e Kosovës?

    Vendimi i MPB-së parasheh që të drejtë për të aplikuar për regjistrim në sistemin e Kosovës kanë të gjithë qytetarët që nga 10 qershori 1999 deri më 1 shkurt 2025 kanë qenë të regjistruar vetëm në sistemin serb.

    Pas datës 1 shkurt 2025, ekstraktet e lindjes apo vdekjes do të mund të nxirren vetëm përmes një kërkese të veçantë për regjistrim të mëvonshëm në zyrat komunale të gjendjes civile.

    Për regjistrimin civil mbi bazën e dokumenteve serbe, kërkohet paraqitja e ekstraktit origjinal nga libri amë i lindjeve të Serbisë për të aplikuar për shtetësinë e Kosovës, dhe më pas për dokumentet që kërkohen. Gjithashtu, njëri nga prindërit e fëmijës duhet të jetë shtetas i Kosovës.

    Deri më tani, serbët në Kosovë janë përballur me vështirësi të shumta për të fituar shtetësinë, për shkak se institucionet nuk i kanë njohur ekstraktet më të reja të lëshuara nga autoritetet serbe.

    Ligji për shtetësinë e Kosovës parasheh që shtetësia të fitohet përmes lindjes, naturalizimit dhe në bazë të nenit 32 – që përcakton se shtetas të Kosovës konsiderohen të gjitha personat që më 1 janar 1998 kanë qenë shtetas të Jugosllavisë dhe kanë pasur atëherë vendbanim të përhershëm në Kosovë.

    Në vendimin e MPB-së për marrjen e dokumenteve të Kosovës mbi bazën e atyre serbe thuhet gjithashtu se për regjistrimin në librin amë të lindjeve duhet të paraqitet edhe letërnjoftimi i Kosovës, i prindërve.

    Sektori civil serb në Kosovë ka theksuar disa herë problemet me të cilat përballet komuniteti serb sa i përket regjistrimit të lindjeve, marrjes së shtetësisë dhe sigurimit të dokumenteve personale, raporton REL.

    Nga Rubrika
    Lajme28 Maj 2025
    Si zakonisht edhe gjatë ditës së nesërme të zgjedhurit e popullit pritet të mblidhen për ta mbajtur seancën e radhës. Kjo do...
    Lajme28 Maj 2025
    Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se të gjitha spitalet e Rezonancës janë ofruar me vullnetin e tyre të plotë për...
    Lajme28 Maj 2025
    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Ganimete Musliu ka reaguar pas situatës së krijuar sa i përket moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës...
    Të tjera
    Lajme28 Maj 2025
    Shoqata e Kosovës për Kërkim Shpëtim e ka gjetur personin që ishte zhdukur dhe lënduar, në zonën Prizren, Prevallë, Shtërpcë.  Ekipet e...
    Lajme28 Maj 2025
    Edhe ish-udhëheqësi i OVL-UÇK, Faton Klinaku ka reaaguar pas deklaratës së kryetarës së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova rreth protestës së organizuar nga...
    Bota/Rajoni28 Maj 2025
    Qeveria e Shqipërisë ka miratuar vendimin që i hap rrugën rikthimit në shërbimin aktiv ushtarakëve në rezervë. Ky vendim, i propozuar nga...
    Lajme28 Maj 2025
    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë reaguar ndaj një deklarate të fundit të bërë nga kryetarja e...
    Bota/Rajoni28 Maj 2025
    Një akullnajë masive është shembur në Zvicrën jugore, duke shkatërruar pjesërisht fshatin e vogël Blatten, i cili ishte evakuuar kohët e fundit për...
    Sport28 Maj 2025
    Jose Mourinho ka bërë shaka duke thënë se ishte “i shqetësuar” se mos Interi do të fitonte tripletën në sezonin 2024-25 dhe...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.