Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.SH.
“Me datë 18.02.2021, rreth orës 17:25min, me përdorim të armës dhe maskës e privon kundërligjshëm personin tjetër nga liria, me qëllim për ta detyruar të dëmtuarën në bashkëjetesë, në atë mënyrë që pasi pajiset me armë, maskë dhe brisk, merr veturën e tij, e përcjellë të dëmtuarën dhe pasi vëren që e njëjta ishte rrugës me babain e saj, ndalon veturën dhe pasi del nga vetura, nën kërcnim me armë dhe i maskuar, e fut me forcë në veturë të dëmtuarën dhe largohet në drejtim të panjohur deri sa pas aksionit të policisë të njëjtit arrijnë ta gjejnë dhe arrestojnë, pas arrestimit të pandehurit ia konfiskojmë armën për të cilën është konstatuar se nuk ka leje nga organet kompetente”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
“Me këto veprime i pandehuri kishte për të kryer veprat penale privim i kundërligjshëm nga liria nga neni 193 par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 77 të KPRK-së dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366, par. 1 të KPRK-së”.
Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Front Online/