Një incident i rëndë ndodhi ditë më parë në fshatin Bibaj të Ferizajt.
Një person ishte goditur nga një tjetër në parkingun e një pompe derivatesh ku si pasojë edhe humbi jetën.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda sot bën të ditur se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj të pandehurit B.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 21 Shkurt 2021, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, në parkingun e pompës së derivateve “Hib Petrol”, i pandehuri B.SH., me dashje i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor tani të ndjerit A.L., ku pas një fjalosje, i njëjti e godet me grusht në fytyrë, me ç’rast si pasojë e kësaj goditje rrëzohet në tokë-beton dhe pëson lëndime trupore dhe si pasojë e lëndimeve të pësuara i njëjti ndërron jetë” thuhet në kumtesën e Prokurorisë.
Me këto veprime dyshohet se i pandehuri B.SH., ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” për të cilën gjendet në ndalim 48 orësh./Front Online/