
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kërvasarin e Malishevës, ku një grua e re humbi jetën pasi u gjet e plagosur me armë zjarri brenda shtëpisë së saj.
Sinjali raporton se viktima është Jetlira Bytyqi, e lindur në vitin 2001, e cila ndërroi jetë në QKUK vetëm pak orë pas ngjarjes.
Jetlira dhe bashkëshorti i saj, Egzon Bytyqi, 26 vjeçar, u gjetën të plagosur në dhomën e gjumit mbrëmjen e 23 gushtit, rreth orës 23:00.
Policia dhe ekipet emergjente kishin dalë menjëherë në vendngjarje, ndërsa të dy të plagosurit u dërguan me urgjencë për trajtim në QKUK.
Për 24-vjeçaren, megjithatë, plagët rezultuan fatale.
Rreth orës 01:10, nga Emergjenca e QKUK-së është konfirmuar se Jetlira kishte ndërruar jetë.
Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar edhe arma që dyshohet se është përdorur, ndërsa rasti tashmë është iniciuar nga organet e hetuesisë si “Vrasje e rëndë”.
Bashkëshorti i viktimës, Egzon Bytyqi, po trajtohet si i dyshuar në këtë fazë të hetimeve, ndërsa dinamika e plotë dhe motivi i ngjarjes mbeten objekt i hetimit.
Një jetë e re u shua brenda pak orësh, ndërsa pas mbetet një tragjedi familjare rrethanat e së cilës tashmë pritet t’i zbardhë hetimi.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.