Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër Sead Halilaj, për rastin e vrasjes mizore të 19-vjeçares në vitin 2013, i cili u ekstradua nga Britania e Madhe para një muaji. Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për arrestimin dhe ndalimin e tij më 31 gusht.
Ndaj Halilajt është ngritur aktakuza për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Sead Halilaj bashkë me Sead Kullajn akuzohen për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ku viktimë ka qenë motra e Kullajt.
Sipas aktakuzës, “me datë 04.06.2013 në periudhën kohore prej orës 03:23min dhe 06:47min, në Prizren, me dashje privon nga jeta në mënyrë mizore dhe tinzare nga motivet e ulëta së bashku me tani të dënuarin S.K., – viktimën I.K., në atë mënyrë që së bashku me S.K., nga Shkodra-Republika e Shqipërisë, vjen për të vizituar I.K., e cila ishte duke punuar si këngëtare-valltare në Mitrovicë në lokalin “Sh.”, pronë e M.S., me ç’rast takohen në Prizren, ku qëndrojnë në shtëpinë e F.R., ku ajo ka banuar më herët.“.
“Pasi që familja nuk është pajtuar lidhur me punën e saj si valltare dhe këngëtare në lokalet e natës, dhe pasi e njëjta nuk është pajtuar të kthehet në shtëpi, papritmas i pandehuri S.H., me thikë së bashku me S.K., fillojnë të godasin I.K., në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar plagë prerëse – shpuese, me ç’rast ka ardhur deri te vdekja e dhunshme si pasojë e gjakderdhjes masive të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë dhe të prehtë, e që është konstatuar sipas raportit të autopsisë së kryer me datë 05.06.2013.”
Prokurori i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.