Forcat e armatosura britanike morën me forcë kontrollin e një naftëmbajtëse, në kanalin e La Manshit, të dielën në mbrëmje, pas raportimeve për dyshime për pengmarrje. Lajmin e konfirmoi Ministria e Mbrojtjes, sipas së cilës, 7 persona janë arrestuar, ndërsa ekuipazhi i anijes “Nave Andromeda”, është shëndoshë e mirë.
Anija, e cila ndodhej pranë brigjeve të ishullit Uajt (Wight), dyshohej se ishte marrë peng, thuhej në deklaratën e Ministrisë. Forcat e policisë britanike thanë më herët se kishin marrë njoftim për një incident në bordin e anijes.
Policia e Hempshajërit tha për CNN se disa persona në bordin e anijes së regjistruar në Liveri, të cilët udhëtonin pa biletë, kishin kërcënuar anëtarë të ekuipazhit. Nuk ka detaje të tjera lidhur me atë që mund të ketë ndodhur në bord, por Ministria tha se pas marrjes së situatës në kontroll, policia ka nisur hetimet.
Sipas të dhënave të trafikut detar, naftëmbajtësja ishte nisur nga Lagos, Nigeri, më 6 tetor dhe duhet të mbërrinte në Sauthempton, të dielën në mëngjes. Por autoritetet vunë re se anija po kryente disa manovra në formë zigzage, çka ata besojnë se ishte një mënyrë e ekuipazhit për të tërhequr vëmendjen e tyre.