Prokurori i rastit ka lëshuar urdhëresë për ekzaminimin mjekësor të E.F., 26 vjeçare, e cila u gjet ditën e diel në fshatin Çikatovë e Vjetër të Drenasit.
Rasti i saj është hapur si “dhunim” në Policinë e Kosovës, ndërsa në bashkëpunim me prokurorinë janë duke u ndërmarrë veprimet hetimore.
Këto informacione i konfirmoi për Gazetën Express, Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
“Lidhur me këtë rast, prokurori i çështjes ka lëshuar urdhëresë për ekzaminim mjekësor për personin me inicialet E.F., e njëjta është duke marr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë nga ana e prokurorisë në bashkëpunim me policinë lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Ulajt dhënë Gazetës Express.
Për rastin e 26 vjeçares, Gazeta Express ka kontaktuar edhe me vëllain e saj për të kuptuar nëse dyshojnë se e reja ka mundur të jetë keqpërdorur seksualisht gjatë qëndrimit jashtë shtëpisë, mirëpo ai ka mohuar se dikush ka mundur ta dhunojë motrën e tij.
“Nuk është ajo, policia munden me thanë dhunim, por ne e njohim personin në fjalë. E kemi motër, ajo nuk është person që mundet me dhunu dikush”, ka pohuar ndër të tjera vëllai i E.F., për Gazetën Express.
E.F., kishte qëndruar gjashtë ditë jashtë shtëpisë, ndërsa kur u gjet nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas mjekes kujdestare në QKUK, atë ditë E.F., erdhi me hipotermi, e cila tha se “pas marrjes së terapisë dhe ngrohjes, temperatura trupore i është rritur dhe pulsi i është përmirësuar”.
Ndërsa vëllai i saj deklaroi se 26 vjeçarja kishte humbur edhe peshë.