Kompania e afërt me dostat e zv.ministrit Hysen Durmishi është një hap larg marrjes së tenderit për punimet në një segment rrugor Prishtinë-Pejë. Në vazhdimësinë e raportimeve të Periskopit lidhur me rastin në fjalë, ku Ministria e udhëhequr nga Liburn Aliu e Hysen Durmishi përmes të deleguarit si U.D shef i prokurimit, Ndriqim Mustafa, po përgatitet terreni që tenderin për LOT1 , t’ia jap kompanië EUROKOS HOLDING SH.P.K, me pronar Ylber Shamollin, teksa për LOT 2 të jetë Kosova Asfalt.
Në këtë episod të radhës, mediumi përmes dokumenteve të siguruara, iu sjell detaje se si komisioni vlerësues i MMPHI i përbërë nga A.Sh, A.B, G.S., i kërkon sqarime shtesë kompanisë EUROKOS HOLDING SH.P.K, vetëm e vetëm që ta bëj kompaninë në fjalë si të përgjegjshme.
Pas kërkesës për sqarime, kompania EUROKOS HOLDING SH.P.K, përgjigjet më datë 09.12.2024 duke u sqaruar rreth kërkesave të Komisionit Vlerësues.
Ajo që bie në sy, është se si Komisioni Vlerësues në kërkesën për sqarimin e tenderit, kërkon nga kompanitë në fjalë që të ofrojnë Deklaratë nën Betim që marrin përgjegjësinë që të gjitha pajisjet e ofruara janë konform kërkesave të përcaktuara.
Kërkesat për aftësi teknike profesionale, përfshirë posedimin e pajisjeve sipas specifikimeve të dosjes së tenderit janë kërkesa të natyrës KALON/NUK KALON të cilat duhet të dëshmohen përmes dokumenteve konkrete mbështetëse të përcaktuara në dosje.
Në këtë drejtim nuk ka vend për zëvendësim të këtyre dëshmive me Deklaratë nën Betim siç ka vepruar Autoriteti Kontraktues në rastin konkret.
Më poshtë gjeni edhe Deklaratat nën Betim të kompanisë tjetër të dostave të zv.ministrit Durmishi:
Shpallja e fituesve është dashur të bëhet qysh në dhjetor të vitit të kaluar, Ministria ka pritur ardhjen e Ndriqim Mustafës në pozitën e U.D shef i Prokurimit, aty ku dyshohet se filloi edhe “kurdisja e këtij tenderi”.
Burime të mediumit bëjnë me dije se kompania e cila fillimisht ishte shpallur fituese ProGroup, e më pas iu kthye në rivlerësim – ka bërë kallëzim penal ndaj Ndriqim Mustafës -ud. shefit të Prokurimit dhe i njëjti siç mëson Periskopi është intervistuar nga Prokuroria Speciale.
Vlen të theksohet se Kompania fituese e përzgjedhur nga Ministria e Infrastrukturës edhe për ndërtimin e dy urave në Mitrovicë, del të jetë mjaft e afërt me kompaninë e dostave të Hysen Durmishit, “N.P.SH.”Bageri”.
Afërsinë me kompaninë në fjalë që pronar ka Bujar Shabanin, s’e ka fshehur asnjëherë Hysen Durmishi. Madje, edhe vetë në konferencë për media kishte deklaruar se e ka mik.
“Unë Bujar Shabanin e njoh që nga viti 2001, e kam shok dhe ka pasur ndonjë periudhë kur unë nuk kam punuar e nuk kam pasur ndonjë angazhim. Pasi që kam dale prej Komunës së Prishtinës, i kam ndihmu më shumë në kuptimin e organizimit të kompanisë kështu si shok, por asnjëherë nuk kam punuar në kompaninë e tij. Thjeshtë e kam këshillua për shkak të përvojës që e kam në menaxhim”, kishte thënë Durmishi.
Siç shihet edhe në këtë fotografi të publikuar nga Paparaci, zëvendësministri Durmishi vazhdon të shoqërohet me pjesëtarët e familjes Shabani.
Hysen Durmishi dhe Sokol Shabani – pronari i “Dio Bes” dhe ortak i Ylber Shamollit – pronar i EUROKOS HOLDING SH.P.K
Kompania e Bujar Shabanit, në tenderët e fituar nga Ministria e Infrastrukturës, në shumicën e rasteve e ka afër vetës edhe ‘EUROKOS HOLDING SH.P.K’, kompaninë që fitoi tenderin tre milionësh për ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër.
Ministria e Infrastrukturës më 26 dhjetor të 2024-ës ndau 2,9 milionë euro tender për konserciumin ekonomik ‘Dio Bes SH.P.K’ dhe ‘EUROKOS HOLDING SH.P.K’. Tenderi kishte të bënte me rehabilitimin dhe asfaltimin e rrugës rajonale Shipashnicë-Desivjocë-Tërstenë.
Pronar i ‘Dio Bes SH.P.K’ është Sokol Shabani, i cili e ka axhë, Bujar Shabanin.