Një shpërthim ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Halil Agusholli” në Pejë, ku si pasojë dy persona janë lënduar.
Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 20:15.
“Njësitet relevante të Stacionit Policor në Pejë menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, aty është kuptuar se nga shpërthimi dy persona kanë pësuar lëndime trupore, të njëjtët janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë e më pas janë transferuar për në QKUK – Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë gjetur dhe sekuestruar: një armë “AK-47”, tre karikatorë të njëjtës armë dhe 90 fishekë të kalibrit 72×39.
“Më urdhër të prokurorit të Shtetit, rasti cilësohet ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftim.
Rasti është duke u hetuar nga Njësiti i Sektorit Rajonal për Hetime DRP Pejë.