Koronavirusi, shpesh thuhet, është me shumë të panjohura. Pothuajse secili i infektuar e ka rrëfimin e vet. Dy mjekë tregojnë përballjen e tyre me këtë virus.
Duke qenë çdo ditë në kontakt me pacientët me Covid-19 nuk shpëtuan pa u infektuar me këtë virus të rrezikshëm as ata që janë në vijën e parë të frontit, mjekët.
Pulmologu Shyri Hyseni rrëfen përvojën e tij me koronavirus dhe problemet që ia shkaktoi në organizëm.
“Kisha telashe nga trakti urinar. Kisha telashe që filloi një pamjaftueshmëri akute e veshkave me telashe nga trakti gastrointestinal, nga lukthi, nga zorrët dhe me një rritje enorme të sheqerit të cilin nuk mundeshim me stabilizu edhe me marrjen e insulinës gati çdo orë”, thotë ai për RTV21.
Me Covid-19 u infektua edhe epidemiologu Sylejman Topalli. Thotë se gjendjen e rënduar që ia shkaktoi ky virus nuk do të ia dëshironte askujt.
“Pothuajse isha para një kolapsi total”, thotë ai.
“Humbja e shijes, humbja e aromës…mund të them se ka qenë shumë e rëndë dhe nuk do të ia dëshiroja as armikut një gjendje të tillë”, theksoi ai.
Ata u bëjnë thirrje qytetarëve që të mbajnë maskën dhe distancën fizike në mënyrë që të mbrohen nga virusi i rrezikshëm.