Kombëtarja e Kosovës regjistroi fitore bindëse ndaj Qipros në xhiron e dytë të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve.
Vedat Muriqi i realizoi dy gola, ndërsa nga një e shtuan Albion Rrahmani dhe Lumbardh Dellova.
E paraqitja e mirë e Dardanëve ka bërë që dy prej lojtarëve të shpërblehen.
Më saktësisht, faqja e specializuar për vlerësimin e lojtarëve “Sofascore” i ka futur dy futbollistë dardanë në ekipin ideal të xhiros së dytë në Ligën e Kombeve.
Bëhet fjalë për Donat Rrudhanin, i cili ishte lojtari i ndeshjes ndaj Qipros, pasi i dhuroi dy asistime dhe e nxori një penallti, por edhe Lumbardh Dellovën, i cili shfaqi stabilitet në mbrojtje dhe e shënoi golin e katërt të ekipit të Franco Fodës.
Mbrojtësi i majtë është vlerësuar me notën 9,2, kurse qendërmbrojtësi me notën 8, pasi kontribuuan në fitoren e parë të Kosovës në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Ata e shohin në këtë formacion ideal përkrah yjeve të futbollit evropian si Harry Kane i Anglisë, Bruno Frernandes i Portugalisë ose edhe Luka Modriq i Kroacisë.
Kosova fillimisht pësoi humbje nga Rumania në ndeshjen e parë në shtëpi me rezultat 0:3.
Më pas u përball me një tronditje brenda kampit, me përjashtimin e Edon Zhegrovës, Arijanet Muriqit dhe Florent Muslijës.
Por grupi e mori forcën dhe fitoi në Qipro, për të kaluar në pozitën e dytë në grup.