Gazetari Visar Duriqi, duke folur rreth kandidaturave të prezantuara për president të Kosovës, ka treguar arsyet se përse Ramush Haradinaj është opsion më i mirë për president të Kosovës, sesa Vjosa Osmani.
Në debatin e organizuar mbrëmjen e kaluar në Klan Kosova pas intervistës që kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Vjosa Osmani e pati në Rubikon , gazetari Duriqi ka thënë se ajo mund të jetë një presidente që dirigjohet nga dikush tjetër.
“Vjosa Osmani dhe personat e tjerë që janë larguar nga LDK-ja janë shkrirë në Vetëvendosje, ata nuk përfaqësojnë asnjë parti dhe as iniciativë qytetare” – tha ai.
“Tash për tash, Vjosa Osmani është keq për të qenë presidente, pasi ajo nuk mund të jetë presidente as si ka qenë Hashim Thaçi. Është një presidente që do ta dirigjoj dikush tjetër, duke qenë se e ka një kryetar partie i cili do t’i tregoj çfarë të bëjë” – vijoi ai.
“Në këto rrethana, nëse është Vjosa Osmani në garë me Ramush Haradinajn, atëherë është më mirë Ramush Haradinaj për president pasi ai është kryetar i partisë” – përfundoi ai.
Kujtojmë që Vjosa Osmani është bartëse e listës së Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit, teksa ka shprehur hapur ambicien për postin e presidentit të Kosovës.