Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, së fundmi u takua me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në Mar-a-Lago, Florida, ku diskutuan për konfliktin në Ukrainë.
Stubb shprehu shqetësimin e Trump-it për mungesën e angazhimit të presidentit rus, Vladimir Putin, ndaj armëpushimit me Ukrainën, raporton The Guardian, përcjell Insajderi.
Ai propozoi afat deri më 20 prill për Rusinë për të pranuar armëpushim të plotë pa kushte, duke paralajmëruar për sanksione të rënda në rast se ky afat shkelet.
Trump shprehu mbështetje për iniciativën e Stubb-it dhe përmendi mundësinë e vendosjes së sanksioneve dytësore ndaj shteteve që blejnë naftë ruse nëse Rusia pengon përpjekjet për armëpushim.
Stubb theksoi nevojën për një armëpushim të qartë dhe pasojat për shkeljet e tij, duke kritikuar pikëpamjet që referendumat e mbajtura nga Rusia në Ukrainë janë legjitime. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e sovranitetit të Ukrainës dhe sugjeroi përfshirjen e SHBA-së në monitorimin e armëpushimit.
“20 prilli do të ishte një kohë e mirë për një armëpushim të plotë pa asnjë kusht… Sepse nevojitet një afat, sepse është Pashkë dhe sepse Donald Trump do të jetë në detyrë për tre muaj atëherë,” tha Stubb për gazetarët finlandezë në Londër.
Stubb tha se durimi i Trump me Rusinë po mbaron dhe se SHBA-ja ka plane “të gjera” nëse Rusia nuk pranon një armëpushim.