Spanja ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme kombëtare dhe ka vendosur masën e izolimit të përgjithshëm në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se masa e izolimit do të vlejë nga ora 23:00 deri 06:00.
Sipas masave, autoritetet lokale mund të ndalojnë udhëtimin midis rajoneve.
Sanchez tha se ai do t’i kërkojë parlamentit të zgjasë afatin e rregullave të reja nga 15 ditë, në gjashtë muaj.
Spanja u godit rëndë gjatë valës së parë të pandemisë në fillim të këtij viti dhe në atë kohë imponoi një bllokim shumë më kufizues – një nga më të ashpërit në botë.
Si shumë rajone të tjera evropiane, ajo është goditur nga një valë e dytë e të infekuarve.
Edhe Italia njoftoi gjithashtu të dielën për masa të reja. Qeveria tha se rritja e vazhdueshme e rasteve atje ishte duke shkaktuar një tendosje të madhe në shërbimet shëndetësore të vendit.
Autoritetet kanë marrë vendim të mbyllin kinematë, pishinat dhe palestrat.
Baret dhe restorantet do të duhet të mbyllen deri në orën 18:00, por dyqanet dhe shumica e bizneseve do të vazhdojnë të funksionojnë.