Ndeshja e barazhit ndërmjet Trepçës’89 dhe Dukagjinit, do të zhvillohet sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, nga ora 16:00.
Kjo ndeshje do të përcaktojë se cila prej këtyre dy skuadrave do të jetë pjesë e Superligës në edicionin e ardhshëm, shkruan FrontOnline.
Skuadra e Dukagjinit e mbylli edicionin në pozitën e dytë në Grupin A të Ligës së Parë, derisa më pas e fitoi ndeshjen e barazhit të kësaj lige ndaj Flamurtarit, duke e fituar të drejtën që rikthimin në elitë ta kërkojë nëpërmjet ndeshjes së barazhit me skuadrën që kampionatin në Superligë e mbylli në pozitën e 8-të.
E në këtë pozitë pas ndeshjeve të javës së fundit të elitës përfundoi Trepça ’89.
Sa i përket formës të të dyja skuadrave, Dukagjini i Klinës në pesë ndeshjet e fundit ka regjistruar tri fitore ndaj Istogut, Drenicës dhe 2 Korrikut, kurse ka pësuar dy humbje nga Drenica dhe Llapi.
Nga ana tjetër, Trepça ’89 ka dy fitore ndaj Drenicës dhe Gjilanit, dy humbje nga Ballkani dhe Feronikeli si dhe një barazim ndaj Besës.
Ndërkaq, në përballjet direkte mes dy skuadrave, dy fitore i ka Dukagjini, kurse një “Minatorët”./FrontOnline/