Sot do të zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës në futboll.
Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të jetë mikpritës i ndeshjes finale të këtij kompeticioni, shkruan FrontOnline.
Në kryeqytet, kundër njëra-tjetrës do të vihen Dukagjini i Klinës dhe Llapi.
Të dyja skuadrat e kërkojnë me ngulm këtë titull, pasi përfitimet janë të shumta. Me një triumf në këtë garë, Dukagjini apo Llapi do të siguronin pjesëmarrjen në garat evropiane sivjet.
Gjyqtari Genc Nuza do ta vë drejtësinë në këtë sfidë, me asistentët Fatlum Berisha e Bujar Selimaj, derisa gjyqtar i katërt do të jetë Selim Isufi.
Për gjyqtarin me stemën e FIFA-së, Genc Nuzën, kjo do të jetë finalja e pestë që e drejton, më shumë se çdo gjyqtar tjetër në historinë e futbollit kosovar.
Ndryshe, ndeshja e sontme zhvillohet nga ora 20:45./FrontOnline/