Themeluesi i festivalit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, ka folur në detaje lidhur me përgatitjet.
Në emisionin “Radar” në “Radio Dukagjini”, ai ka treguar se të enjten, 25 korrik, me fillim në orën 14:00, fillon festa në një hapësirë tashmë të përhershme. Lipa thotë se vendi tashmë është bërë një park dhe ka disa skena.
Dua Lipa gjatë gjithë kohës së Festivalit do të jetë në Kosovë dhe përveç shumë takimeve, do të jetë nikoqire e rreth 25 mijë të rinjve nga mbarë bota.
“Artistët tashmë e njohin Kosovën e edhe Shqipërinë përmes ‘Sunny Hill’, ne nuk promovojmë vetëm Kosovën, promovojmë vendet e rajonit. Artistët e mëdhenj si Dua, Rita Ora apo Bebe Rexha kanë jetën e paraaranzhuar. Ne e ftojmë çdo vit Rita Orën, por në kohën kur mbahet i ka rastisur të mos ketë mundësi. Por edhe ajo do të jetë mysafire patjetër”, tha Lipa në “Radio Dukagjini”.
Ai ka folur edhe për mundësinë e një dueti me vajzën e tij, për vendin se ku do t’i kalojnë pushimet këtë vit, për interesimin e mediave më të mëdha në botë për të përcjellë Festivalin.
U pyet edhe për ëndrrën e tij që nuk arriti ta realizonte dhe po e bën përmes Duas.
Festivali tashmë ka bërë të ditur emrat e pothuajse të gjithë artistët që do të performojnë. Në mesin e tyre janë yjet si: Bebe Rexha, Stormzy, Burna Boy, Black Coffee, Dj Snake, Tomy Gold, The Blaze, AntsLive, The Martinez Brothers, Chloe Calliet, My Gal, Lancey, Kamal etj.
Nuk mungojnë as artistët vendas që tashmë kanë bërë famë si: Yll Limani, Dafina Zeqiri, Dhurata Dora, Ledri Vula, Kresha & Lyrical Son, Llafazani, Capital T, Mozzik e të tjerë bashkë me disa emra të ri të skenës si: Elsa Mala, Milk Snatchers, Bleta Përtace etj.
Edicioni i sivjetmë mbahet prej 25 –28 korrik në Bërnicë të Poshtme në “Sunny Hill Park”.