Kënga “Duje” e Albina dhe Familjes Kelmendi është renditur mes këngëve më të klikuara të janarit në Eurovision. Performanca e përfaqësueses shqiptare është e 10 në listën prej 20 performancave më të dëgjuara, të publikuara në kanalin zyrtar të Eurovision Song Contest. Albina dhe Familja Kelmendi do të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision 2023, teksa duket se tashmë “Duje” ka zënë vend edhe në zemrat e publikut ndërkombëtar.
Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë u hodh edhe shorti, ku u përcaktua se Shqipëria do të këndojë në natën e dytë të gjysmëfinales së Eurovision 2023 që do të zhvillohet në Liverpool, ndërsa performanca do të jetë e 9-ta në radhë. Shqipëria do të përfaqësohet nga Albina dhe familja Kelmendi me këngën “Duje”, si fituese të edicionit të 61-të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.
Vetëm 20 shtete do të zgjidhen nga dy gjysmëfinalet për të performuar në finalen e madhe më 13 maj, që do u bashkohen 5 shtetet e përhershme finaliste (Spanja, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Gjermania) si dhe shteti fitues i vitit të kaluar (Ukraina), të cilët plotësojnë listën e 26 shteteve finaliste.
‘Eurovision 2023’ do të zhvillohet këtë vit në datat: 9, 11 dhe 13 maj në ‘M&S Bank Arena’ të Liverpoolit, ndërsa më herët u publikua edhe logo, e cila ishte një bashkim i ngjyrave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Ukrainës.