Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë të premten pjesën e mbetur të aneksave të dërguara në këtë institucion kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Një ditë më parë, ky trup ka hedhur poshtë nëntë aneksa tjera të lidhura me kërkesa për rinumërim apo manipulim me vota.
Në vendimin e së premtes, gjykata ka hedhur poshtë ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, Iniciativës Rome, Partisë Liberale Egjiptiane, Partisë së Ashkalive për Integrim, Lëvizjes Përparimtare të Romëve të Kosovës, Iniciativës Qytetare Komuniteti i Bashkuar- Adrijana Hoxhiq dhe Unionit Socialdemokrat (SDU).
Adrijana Hoxhiq i është drejtuar Gjykatës Supreme për të kundërshtuar një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që ia anuloi mbi 4.200 vota, që i kishte siguruar në komunat e banuara me shumicë serbe.
Ky vendim i Supremes ka ndikuar që Hoxhiq ta humb vendin si deputete në Kuvendin e ri të Kosovës dhe vendin e saj ta zë Duda Balje nga SDU.
Në një prononcim për televizionin publik, Duda Balje ka thënë se vendimi i Supremes është i mirëseardhur, sepse e ka ndalur një plan të Listës Serbe bashkë me Adrijana Hoxhiq për të manipuluar me vota.
“Lista Serbe dhe Adrijana Hoxhiq kanë pasur plan që t’i uzupojnë vendet e rezervuara që përcaktohen me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Balje.
E pyetur se a do të votojë për Kurtin si kryeministër dhe Osmanin si president, Balje ka thënë se do ta bëjë një gjë të tillë.
“Unë e votoj zotin Kurtin për kryeministër pasi që ka marrë kaq shumë vota. Edhe zonjën Osmani e votoj për presidente”, ka thënë Balje.